Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që t’i marrë shumë seriozisht aktivitetet e Beogradit brenda të ashtuquajturës doktrinë e botës serbe, duke paralajmëruar se kjo mund të përbëjë një kërcënim serioz për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
“Ballkani Perëndimor është një pikë kritike e sigurisë që kërkon vëmendjen e plotë të Bashkimit Evropian”, tha Radev më 1 nëntor, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në lidhje me rreziqet që paraqet projekti “Bota Serbe” dhe se si kjo iniciativë nga Beogradi ndikon në sigurinë në rajon, raporton EUalive.
Unë besoj se është koha e duhur që të gjitha institucionet evropiane ta marrin këtë problem shumë më seriozisht. Është një çështje jashtëzakonisht e ndjeshme edhe për ne”, shtoi Radev.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, paralajmëroi për rrezikun e projektit “bota serbe”, i cili synon të rivendosë një pjesë të ish-Jugosllavisë me Serbinë në qendër, ndërkohë që rifiton kontrollin mbi Kosovën dhe rikthen në orbitën e Beogradit shtetet tani të pavarura si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, pjesë të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe të tjera.
“Bota serbe” vepron si një version në shkallë më të vogël i projektit “Serbia e Madhe” të Slobodan Millosheviqit, por edhe si një homolog i konceptit “bota ruse” të promovuar nga Vladimir Putin, i cili dikur tha se Rusia nuk ka kufij.
Në fillim të qershorit 2024, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç kryesoi të ashtuquajturin Asamble Gjithë-Serbe në Beograd, e cila mblodhi përfaqësues të serbëve nga e gjithë ish-Jugosllavia. Në atë takim strategjik, u miratua e ashtuquajtura Deklaratë Gjithë-Serbe, e cila paraqiti në letër një plan për zbatimin e konceptit të “botës serbe”.













