Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha sot, 14 nëntor, gjatë konferencës për mbylljen e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Tiranë se ekonomia shqiptare ka shënuar një rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme gjatë këtij viti. Ai tha se vendi ka përballuar me sukses tre sfida madhore në gjysmën e parë kësaj dekade.
“Pas përballjes me sukses të tre sfidave madhore në gjysmën e parë të dekadës, ekonomia shqiptare ka vijuar të shënojë një rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave të INSTAT, vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimet dhe pagat në sektorin privat jobujqësor kanë ardhur në rritje në gjysmën e parë të vitit”, tha guvernatori.
Sipas tij, rritja e kërkesës në tregjet e produkteve dhe të punës ka sjellë më shumë të ardhura dhe ka përmirësuar bilancin e të ardhurave të shqiptarëve.
Ai përmendi anëtarësimin në SEPA, duke theksuar se ekonomia do të vijojë të rritet.
“Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA është finalizim i një pune të gjatë të Bankës së Shqipërisë, është dëshmi e konvergjencës tonë rregullatore dhe sistemit tonë të pagesave. Projeksionet tona sugjerojnë se ekonomia do të rritet me ritme të përafërta me vitin aktual, me shfrytëzim më të mirë të burimeve prodhuese të vendit”, tha Sejko.
Guvernatori nënvizoi se duhet edhe një kuadër i balancuar për politikat makro-ekonomike.
“Kjo do ndikojë te kontrolli i inflacionit dhe stabilizimi i ekonomisë”, argumentoi ai.
“Banka e Shqipërisë do të mbetet e përkushtuar në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe në përmbushjen e detyrave të tjera, si edhe për procesin e negociatave me BE-në. Do bëjmë reformën tonë për një rritje sa më të shpejtë, të qëndrueshme dhe më gjithëpërfshirëse ekonomike”, përfundoi Sejko.















