Në një seancë të zgjatur parlamentare që vazhdoi rreth 16 orë dhe përfundoi rreth orës 03:00 të mëngjesit të datës 20 nëntor 2025, Kuvendi miratoi në parim projektbuxhetin e vitit 2026 me një fond prej 8.8 miliardë eurosh, së bashku me 8 projektligjet që përbëjnë paketën fiskale të vitit të ardhshëm.
Projektbuxheti u kalua vetëm me votat e mazhorancës socialiste, 83 pro, ndërsa opozita votoi kundër. Dy deputetë të PS-së, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj, dolën nga linja e grupit duke mos marrë pjesë në disa prej votimeve të projektligjeve fiskale.
Braçe mungoi në votimin për ligjin e taksave vendore, ndërsa Sinaj nuk votoi dy nismat e lidhura me paqen fiskale.
Fondi prej 8.8 miliardë eurosh do të përdoret për mbulimin e shpenzimeve publike, duke përfshirë shëndetësinë, pagat, ndihmën ekonomike, pensionet, arsimin, punësimin, bujqësinë, infrastrukturën rrugore, drejtësinë dhe investimet në fushën e sigurisë në kuadër të angazhimeve ndaj NATO-s.
Si u votuan projektligjet?
Procedurat tatimore – 83 pro, 31 kundër
Tatimi mbi vlerën e shtuar – 83 pro, 32 kundër
Tatimi mbi të ardhurat – 82 pro, 32 kundër (Braçe nuk votoi)
Sistemi i taksave vendore – 83 pro, 32 kundër
Fatura dhe monitorimi i qarkullimit – 82 pro, 32 kundër (Sinaj nuk voton)
Marrëveshja e paqes fiskale – 83 pro, 31 kundër
Rivlerësimi i pasurisë së paluajtshme – 82 pro, 30 kundër (Sinaj nuk voton)
Fshirja dhe shuarja e detyrimeve tatimore – 83 pro, 32 kundër
Projektbuxheti 2026 – 83 pro, 32 kundër
Një nga ligjet më të rëndësishme të paketës është ai për faljen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore, që parashikon heqjen e rreth 500 milionë eurove borxhe dhe gjoba të papaguara deri më 31 dhjetor 2014. Për detyrimet e krijuara nga viti 2015 deri në vitin 2024 do të ketë lehtësime, por bizneset duhet të shlyejnë një pjesë të shumave brenda vitit 2026.
Ndërkohë, “paqja fiskale” krijon mundësinë që bizneset me xhiro mbi 14 milionë lekë të nënshkruajnë një marrëveshje trevjeçare me administratën tatimore për të përcaktuar normën e fitimit të tyre. Fitimit të deklaruar i shtohet një marzh 18%, i cili tatohet me 15%, ndërsa çdo fitim që e kalon këtë nivel tatohet me 5%, duke u konsideruar një lehtësim për bizneset e mëdha.
Edhe projektligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme parashikon një normë tatimi prej vetëm 5% për përafrimin e vlerës së pronave me tregun, duke ulur ndjeshëm tatimin që aktualisht paguhet mbi fitimin nga shitja e pasurisë.
Ndryshimet e reja në ligjin e TVSH-së sjellin rikthimin e skemës së kompensimit për fermerët, të cilët do të përfitojnë 10% të vlerës së faturës që marrin nga grumbulluesit.
Kufizohet më tej edhe përdorimi i parasë në dorë: bizneset nuk mund të kryejnë pagesa mbi 100 mijë lekë mes tyre, ndërsa individët dhe të vetëpunësuarit nuk mund të bëjnë pagesa në cash mbi 500 mijë lekë.
Ligji i ri për taksat vendore parashikon përjashtimin nga taksa e ndikimit në infrastrukturë të të gjitha investimeve publike në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale.
Në paketë përfshihen edhe ndryshimet për faturimin elektronik, si dhe lehtësime të reja fiskale për sponsorizimet në sport, kërkim dhe zhvillim.















