Deputetët e Rithemelimit të Partisë Demokratike, të drejtuar nga Sali Berisha, si edhe ata pranë kreut të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi janë mbledhur ditën e sotme.
Temë diskutimi në mbledhje do të jetë rrëzimi i komisioneve hetimore, përjashtimi i deputetëve si edhe rrëzimi i kërkesës për reformën zgjedhore.
Bardhi u shpreh se do duhet të ketë një qëndrim lidhur me këto zhvillime, ndërsa shtoi se mazhoranca po bllokon çdo hapësirë institucionale duke asgjësuar parlamentarzimin.
Nga ana tjetër ish-kryeministri Berisha u shpreh se duhet të fillojë qëndresa e tyre si parlamentarë.
“Ne nuk bojkotojmë. Kjo është në interesin e Ramës, por do të bëjmë gjithçka për të krijuar hapësiren tonë si parlamentarë”, u shpreh ai.
Sakaq, burime për BalkanWeb bëjnë me dije se deputeti Oerd Bylykbashi ka deklaruar: Ne kërkojmë hapësirën tonë në Kuvend e këtë nuk e firojmë duke u larguar. Ne duhet të qëndrojmë aty e të përplasemi. Betejën do duhet ta bëjmë të fortë në seancë dhe në komisione.