Rey Manaj është duke kaluar një periudhë mjaft të mirë të karrierës së tij në Spanjë tek Granada. Sulmuesi kuqezi bashkë me disa lojtarë të skuadrës kanë zgjedhur ta fillojnë ndryshe vitin 2018. Ata kanë vizituar një qendër shëndetësore ku qëndrojnë fëmijë të sëmurë dhe u kanë shpërndarë atyre dhurata, shalle, topa të ekipit dhe të tjera sende që sollën gëzim tek vogëlushët.
Manaj, ka postuar në profilin e tij në “Instagram” disa foto nga momenti i vizitës në spitalin e fëmijëve, të cilët duken të lumtur me ardhjen e futbollistëve.
“Shpresoj që pacientët e sotëm dhe të gjithë ata që vuajnë nga kjo sëmundje, të kthehen sa më shpejt në shtëpi. U uroj të gjithëve shërim të shpejtë. Këtë vizitë do ta mbaj gjithmonë në zemër”- shkruan sulmuesi shqiptar karshi fotove. 20-vjeçari vazhdon të jetë në kontratë me gjigantët italianë të Inter-it ndërsa është i huazuar te klubi spanjoll.