Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar shembje të dherave dhe dëmtime të urave, në disa nga njësitë administrative të Mirditës, duke bllokuar rrugët dhe penguar qarkullimin normal.
Në Njësinë Administrative Fan, dy fshatra janë totalisht të bllokuar, duke penguar edhe transportin e fëmijëve drejt shkollës, ndërsa fshatrat Shengjin dhe Klos janë të paarritshëm, për shkak të rrugëve të bllokuara,
Njësia Administrative Kurbnesh ka pësuar bllokim të rrugës kryesore që lidh zonën me Lurën, si dhe bllokime në disa fshatra të tjerë. Probleme raportohen edhe në Orosh dhe Kaçinar, ku disa rrugë dhe ura pasarelë janë dëmtuar.
Po ashtu, në Njësinë Administrative Rrëshen, ura që lidh fshatin Jezull me rrugën kryesore është shembur, duke vështirësuar qarkullimin dhe duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet lokale.
Autoritetet e Bashkisë Mirditë dhe ekipet e emergjencës po punojnë për pastrimin e rrugëve dhe rikthimin e qarkullimit të sigurt në zonat e bllokuara.















