Gareth Bale ka kualifikuar Real Madridin në finalen e Botërorit të Klubeve. Uellsiani ka shënuar tre gola përballë japonezëve të Kashima-s, në fitoren 3 me 1. Në finalen e madhe do të përballen me Al Ain, që mposhti River Plate pas penalltive një ditë më parë.
Pas një starti jo të mirë, kampionët e Europës kanë marrë veten me kalimin e minutave, por duhej minuta e 44’ e pjesës së parë për të shijuar golin e parë të Bale. Nr. 11 i Los Blancos kombinon me Marcelo-n në të majtë dhe dërgon topin në rrjetë me një goditje të bukur. Pas pushimit filloi dominimi i Real Madrid.
Japonezët u dukën të lodhur dhe të pashpresë teksa Bale shënon dy gola brenda dy minutave duke kompletuar tripletën e tij. Uellsiani shënon në minutën e 53’ dhe 55’ duke vulosur fitoren për skuadrën e tij. Pak minuta më pas, ai zëvendësohet nga Asensio dhe duartrokitet nga i gjithë stadiumi i Zayed Sports City në Abu Dhabi.
Bale është bërë lojtari i tretë pas Lionel Messi-t dhe Cristiano Ronaldo-s që shënon një tripletë në këtë kompeticion. Në minutën e 78’ japonezët shënojnë golin e nderit falë Doi. Në fillim goli u anulua për pozicion jashtë loje, por pas rishikimit të VAR, ai është quajtur i rregullt.