Kryeministri Edi Rama, mori pjesë në panelin e organizuar nga Chatham House me temën “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian”. Në fokus të diskutimit ishte edhe çështja e Kosovës dhe sfidat e saj në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Pyetur rreth situatës së Kosovës dhe kërkesave të Bashkimit Europian për zgjidhje të çështjeve territoriale para përparimit në anëtarësim, Rama theksoi se nuk ekzistojnë probleme territoriale mes Kosovës dhe fqinjëve të saj. “Territori i Kosovës është i përcaktuar dhe i njohur. Kosova është një republikë e re demokratike, e njohur nga fuqitë më të mëdha botërore. Nuk shoh asnjë problem në këtë drejtim,” u shpreh Rama.
Megjithatë, kryeministri theksoi se përgjegjësia për përparimin e Kosovës qëndron te vetë ajo, duke shtuar se “Kosova duhet të harrojë Serbinë dhe të përmbushë pikat e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, pavarësisht qëndrimit të Serbisë. Ata duhet t’ia lënë Serbisë topin në fushë dhe Evropës ta marrë përsipër çështjen me Serbinë, pa u kthyer kjo në një problem fajësimi”.
Rama shtoi se kjo është pikëpamja e tij personale, por se ai respekton plotësisht vendimet dhe prioritetet e udhëheqësve të zgjedhur të Kosovës në interes të popullit dhe vendit të tyre.