Kryeministri Edi Rama ka dalë në një video-mesazh live në rrjetet sociale, ku po flet lidhur me kërkesën e dy shoqatave të gjyqtarëve lidhur me kërkesën e tyre për paga më të larta.
Rama iu përgjigj deklaratës së një dite më parë nga Shoqata e Gjyqtarëve të republikës së Shqipërisë, se po linçohen publikisht, gjë që kryeministri e konsideroi të pavërtetë.
“Kuptova që ka patur disa emisione të mbrëmjes që janë marrë me këtë çështje dhe këto emisione të organizuara në mënyrë krejt të pavarur prej meje dhe në mënyrë krejt të natyrshme siç organizohen çdo mbrëmje dhe shumë prej të cilave nuk janë të mirëserdhura në aspektin përmbajtësor nga shumica qeverisëse, futet në gjuhën tipike të një politike të vjetër të ndasisë dhe urrejtjes, duke i përshkruar gjykatësit e Shqipërisë, si fushatë e imja, e kreut të këshillit të ministrave. Tani besoj se të gjithë e dinë çfarë është një fushatë, dhe sidomos kur e udhëheq unë me shokët e shoqet e PS, një uragan që merr përpara këdo kur është një betejë politike, por kjo nuk është fushatë dhe ne nuk kemi adnjë qëllim të bëjmë fushatë kundër gjyqtarëve. Dhe tani kjo që po bën kjo shoqatë është unikale në gjithë Evropën. Po kush jeni ju që i jeni vetes të bëni një gjë të tillë.”, tha Rama, i cili përsëriti edhe njëherë qëndrimin e tij se gjyqtarët e vendit tonë i kanë pagat mjaftueshëm të larta.
“Ju i keni pagat më të larta se paga e presidentit të Republikës, deputetëve dhe e ministrave dhe e kujtdo tjetër. Ca bëhet kështu?!”, janë fjalët e tij, ndërsa i mori me radhë të gjashta pikat e arsyetimit të shoqatës në reagimin e një dite më parë kundër tij.
Mes të tjerash kryeministri shprehu “respekte për SPAK”, duke qenë se nga ana e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka patur një kërkesë të ngjashme, apo ankesa të tilla mbi pagën.
Kreu i qeverisë u shpreh i irrituar me kërkesën, ankesën dhe arsyetimin e shoqatave të gjyqtarëve.
“Për cilën përbaltje kryeministrore, si guxoni ju të vendosni etiketime të tilla duke qenë arbitra?! Ndërkohë ju, me këtë tentativë në Gjykatën Kushtetuese doni të jeni ligji dhe kjo është e vërteta. Si arrini ju në pikën të sulmoni publikisht qeverinë, kreun e Këshillit të Ministrave dhe ti akuzoni të gjithë për këtë histori. Më shikoni mua të axhituar. Normale që jam i axhituar. Ato 37 milionë euro që kërkoni t’i shtoni vetes ju, janë para që duhet të hiqen diku tjetër dhe ju merrni përsipër në sallën e gjyqit të jepni gjykime politike, për qeverinë, merrni përsipër të flisni për abuzime ndërkohë që duhet të paraqisni në sallën e gjyqit paanësi. Ju kërkoni t’i rrisni pagat vetes me gjyq.”, shtoi Rama.
Sa i përket pikës ku flitet për ulje fiktive të pagave të gjyqtarëve nga ana e Këshillit të Ministrave, Rama u kërkoi shoqatave të paraqisnin dokumente për këtë dhe të flisnin me prova, duke qenë se nuk janë një parti politike për të bërë deklarata publike të tilla, që ai i konsideron të pavërteta.
“Ju nuk jeni parti politike, për të dhënë opinione të tilla në publik, ju jeni gjykatës. Si mund të hidhni baltë mbi qeverinë e kësaj republike me këtë lloj retorike?! Dhe për më tepër flisni për zbritje fiktive të pagës referuese të bërë nga Këshilli i Ministrave.
Dhe thoni që ne jua paskemi përkeqësuar pozicionin financiar juve. Këto janë dokrra, nxirrni një dokument të përkeqësimit financiar se nuk jeni parti politike për të bërë deklarata publike, ato bëjini kur të keni realisht komente kur ju cënohet pozicioni.”, tha Rama, duke shtuar se qeveria e tij është treguar garante e pavarësisë së tyre.
Lajmi në përditësim…











