Në përfundim të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, kryeministri Rama ka bërë për ujë të ftohtë Bashkimin Evropian dhe Serbinë. Ai nuk është kursyer aspak ndaj këtyre të fundit, teksa doli në një konferencë me Haradinajn.
Rama u tregua i prerë teksa tha se do përkrahë Kosovën, ndërsa shtoi se Serbia i ka futur thika pas shpine Kosovës me pengesën për anëtarësim në Interpol.
Kryeministri i Shqipërisë mbështeti taksën 100% për produktet serbe, ndërsa pati një mesazh të qartë edhe për BE-në, për të cilën tha se ka një dyfytyrësi. Rama përmendi marrëveshjen e Demarkacionit që u kërkua me ngulm, e më pas BE-ja nuk denjoi të lejonte lëvizjen e lirë.
“Jemi gjallë, nuk kemi vdek akoma”, tha Rama i nxehur, ndërsa shtoi se evropianët s’duhet të na tregojnë më përralla e të na thonë të bëjmë më shumë gjëra seç mundemi.
Fjala e Ramës:
Mbledhje me rëndësi të veçantë, në një moment të veçantë. Na vazhdën e mbledhjeve, kjo është mbledhja me produktin më konkret. Procesi i nisur për heqjen e barrierave tarifore është konkretizuar. Brenda 6 mujorit të vitit të ardhshëm s’do ketë më barrierë tarifore ose jo tarifore mes Shqipërisë e Kosovës. Do të bëhet njohja e ndërsjellë e patentave, do bëhet e mundur që në pikat e kontrollit kufitar të vlejë vetëm dokumenti në njërën palë. Ky është një hap i madh, është një hap shembullor. Ia ofrojmë këtë shembull të gjithë rajonit, kush e sheh bashkë me sytë e të shkuarës, është i ftuar ta shohë me sytë e të ardhmes.
Këtu sjell në vëmendje momentin që ka krijuar shumë debat, që lidhet me taksimin 100% për produktet serbe, i cili nuk është një veprim ekonomik, por një reagim i qartë politik dhe ftesë për Serbinë për të zbritur me këmbë në tokë dhe se rruga ndaj të ardhmes nuk ndërtohet me thika pas shpine. Përpjekja për ta penguar Kosovën për të hyrë në Interpol është përpjekje e radhës e pajustifikueshme pasi është hyrja në një organizim global për të luftuar krimin.
Do shkojmë drejt bashkimit doganor. Përmenda Interpolin, po vij te romingu. Serbia shkon në të kundërtën e asaj që është rruga e të ardhmes, na vë detyrimin ta bëjmë bashkë pa roming brenda 6 mujorit të vitit të ardhshëm.
Pika kufitare e Morinës, ku krijohen radhë të gjata do kthehet në një pikë fluide e kontrollit të përbashkët, sipas standardeve evropiane.
Është e papranueshme dhe e pajustifikueshme që Shqipëria e Kosova mbahen peng të dinamikave të zgjedhjeve në BE. Kanë ardhur dhe na kanë lodhur kokën, kaloni demarkacionin me Malin e Zi e do ju heqim vizat. Kosova e bëri dhe tani nuk kuptohet mirë, prisni iher se kemi halle ne këtu, se na mërziten ekstremistët këtu e na mërzitën atje.
Jemi gjallë nuk kemi vdek akoma, do vazhdojmë të çojmë para bashkimin Shqipëri-Kosovë.
Do ecim të vendosur në rrugën e bashkimit të shqiptarëve, e duam këtë bashkim nën ombrellën e BE-së. S’do lejojmë të gëlltisim akte e veprime që na penalizojnë.
Shqipëria e vendosur të ndërtojë partneritet strategjik me Serbinë, por ajo s’mund të ketë një fytyrë tjetër për ne e një tjetër për Kosovën. Metohinen ta mbajnë për vete, kjo është Republika e Kosovës. Kjo është diçka që nuk lëvizet më! Nëse Kosova e ka kapërcyer të shkuarën, ka ndërtuar shembullin më të shkëlqyer për minoritetin, kjo nuk mund të jetë diçka që të merret si e dhënë qyl ose një arsye që Serbia të bëjë viktimën para Kosovës. Serbia nuk është viktimë, Kosova është viktimë!
Të mos na tregojnë shumë përralla miqtë tanë evropiane, të mos na kërkojnë më shumë seç na mbajnë gjunjët, ndërkohë që Serbinë e përkëdhelin në një formë që është e papranueshme.
Tarifa 100% është e vetmja përgjigje normale për Serbinë, e mbështesim 100%, do jemi në krah të Kosovës përtej të gjitha të tjerave.
Kanë mbajtur nën presion ministrin që të heqë fjalën “Republika e Kosovës” nga fjalimi i tij, si mundet serbët të imponojnë ça themi ne kur jemi bashkë kur ne pranojmë Kosovo metohini?
Shqipëria dhe Kosova do ecin dorë për dore, krah për krah si shqiponja! /TIRANA TODAY