Damon Linker/“The Week”
Nëse jeni duke shijuar një moment lehtësimi politik nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Francë – i kënaqur që kandidatja e ekstremit të djathtë (Marine Le Pen e Frontit Kombëtar) doli në vendin e dytë, pas teknokratit simpatik 39-vjeçar të qendrës neoliberal, Emmanuel Macron, i cili është tejet i favorizuar për të triumfuar në raundin e dytë të votimit në 7 maj – ju duhet të vazhdoni ta gëzoni atë. Por, mos lejoni që festimi të zgjasë për një kohë të gjatë.
Fitorja e Macron, sugjeron se 2017 nuk ka gjasa të jetë viti kur Bashkimi Evropian dhe rendi liberal ndërkombëtar të përmbysen nga një kryengritje populiste, duke i hapur rrugën një epoke vendosmërisht post-liberale. Por, situata politike në Perëndim, mbetet jashtëzakonisht e tmerrshme, me një valë në rritje të radikalizmit antiliberal, që kërcënon të trondisë fortifikimet të cilat e kanë mbrojtur demokracinë liberale prej fundit të Luftës së Dytë Botërore.
Ky realitet duhet të pranohet, ballafaqohet dhe ndaj tij duhet reaguar me një mesazh më bindës se sa triumfi i Macron në raundin e dytë të votimit. Nëse kufizoheni vetëm me drojën ndaj së djathtës ekstreme, votimi i së dielës na jep disa arsye për të qenë optimistë. Babai i Marine Le Pen, Jean-Marie Le Pen mori 16.9 për qind në raundin e parë të votimit në vitin 2002, duke e katapultuar Frontin Kombëtar në raundin e dytë, ku ai humbi me një lumë votash më pak (82.2 për qind përkundrejt 17.8 për qind) ndaj Jacques Chirac i Partisë Republikane të qendrës së djathtë.
Ja ku jemi 15 vjet më vonë, në sezonin e Brexit dhe Donald Trump-it dhe e reja e Le Pen shkon në raundin e dytë me 21.3 për qind, ose 4.4 pikë përqindjeje më lart se sa babai i saj. Me këtë normë rritjeje, e djathta ekstreme do të jetë në gjendje të fitojë në raundin e parë të votimit në zgjedhjet e vitit 2122, pra 105 vjet nga tani. Kjo sigurisht i jep qendrës së majtë dhe asaj të djathtë mjaftueshëm kohë, për të vazhduar të punojnë së bashku.
Gjërat bëhen disi më pak optimiste, kur krahasojmë rezultatet e raundeve të dyta. Nëse Macron e mund Le Pen, në 7 maj, me 22 pikë përqindje diferencë, sikurse parashikohet në sondazhin e parë pas raundit të parë të votimit, kjo sigurisht do të jetë një humbje vendimtare për të djathtën ekstreme – por, gjithashtu do të jetë një triumf me një diferencë ndjeshëm më të vogël se ajo prej 64.4 për qind, që ndante të atin e Le Pen nga Chirac në 2002-shin.
Ky është një përmirësim i konsiderueshëm, që mundet edhe të dëshmojë për një të ardhme në terma afatshkurtër, në të cilën Fronti Kombëtar (ndoshta me një kandidat me një mbiemër tjetër) të vazhdojë të fitojë terren, deri sa të mund të mbizotërojë në raundin e dytë. Dhe pse duhet të supozojmë se Fronti Kombëtar, me historinë e tij të gjatë e të shëmtuar, që gjithmonë sillet si plangshprishës në votime, do të mbetet mjeti i vetëm i ekstremit të djathtë populist në skenën politike?
Nëse rritja dhe suksesi i Macron na ka mësuar diçka, është fakti që një kandidat rebel mund të ngjitet në krye të pushtetit në Francë me një lehtësi relative. Nëse ai ka punuar për centristët, pse të mos i ndodhë kjo edhe një përfaqësuesi të së djathtës anti-globaliste? Por kur ne zgjerojmë fushëpamjen përtej të djathtës, gjërat bëhet veçanërisht interesante dhe ogurzeza.
Le Pen nuk ishte e vetmja kandidate antiliberale në raundin e parë të votimit. Tjetri qe kandidati populist i ekstremit të majtë, Jean-Luc Mélenchon, i cili fitoi 19.6 për qind të votave. Nëse i bëjmë bashkë votat e tyre, 41 për qind e tyre shkon për radikalët. Po sa radikal është Mélenchon? Aq radikal sa do të donte t’i tatonte ata me të ardhura mbi 400.000 euro në vit me një normë prej 100 për qind – duke i kufizuar në thelb pagat franceze nën gjysmë milionë euro në vit.
Ai gjithashtu propozoi të shkurtojë gjatësinë e javës së punës nga 35 deri në 32 orë, kërcënoi të nxjerrë Francën jashtë BE-së dhe NATO-s, dhe (ashtu si Le Pen) shfaqi interes për një aleancë të ngushtë me Rusinë në skenën botërore. Për ata që kërkojnë të prodhojnë një mrekulli venezueliane alla Hugo Chavez në Francë, Mélenchon është një zgjedhje e shkëlqyer.
Lajmi bëhet edhe më shqetësues, kur sheh shpërndarjen e preferencave politike sipas grup-moshës. Ndërsa Macron fitoi lehtësisht në mesin e votuesve të moshuar (mbi 70 vjeç e lart), Mélenchon fitoi votuesit më të rinj (18-24 vjeç), me Le Pen që përfundoi në vendin e dytë. Së bashku, kandidatët e të djathtës dhe të majtës ekstreme tërhoqën pas vetes një shumicë solide (51 përqind) të votave të të rinjve.
Politika franceze e bazuar tek klasa është shumë më konsistente sesa ajo amerikane. Ndërsa Partia Demokratike dhe ajo Republikane në SHBA, kanë secila fraksione të fuqishme elitare, si dhe shumë përkrahës të klasës punëtore, Macron e mori mbështetjen më të madhe nga votuesit më të pasur, duke i lënë populistët të mbizotërojnë në mesin e më të varfërve. (Le Pen dhe Mélenchon fituan së bashku 57 për qind të votave të atyre me të ardhura më të pakta).
Kjo do të qe më pak shqetësuese, nëse do të mendonim që ekonomia franceze ka të ngjarë të shënojë një kthesë gjatë viteve të ardhshme, duke krijuar vende pune dhe rritur pagat për ata që luftojnë për mbijetesë. Por s’ka asnjë shenjë për një kthesë të tillë, dhe asnjë nga propozimet modeste të Macron, nuk ka të ngjarë të çojë në përmirësime të rëndësishme.
Papunësia në Francë ka qenë e mbërthyer në shifrën mbi 10 për qind, për pjesën më të madhe të 4 viteve të fundit, në një kohë që për të rinjtë është shumë më e lartë – me rreth 25 për qind të tyre që janë në kërkim dhe dështojnë të gjejnë një punë. Veçse nëse kjo ndryshon në mënyrë dramatike, radhët e pakënaqurve vetëm sa do të shtohen.
Do ishte një gjë tjetër në rast se këta zgjedhës të zemëruar dhe gjithnjë e më të dëshpëruar të hidhnin sytë nga qendra e majtë për përgjigje dhe ndihmë, por ata nuk e bëjnë këtë.
Në një kolaps të habitshëm, që përkon me një prirje të ngjashme, në Holandë, Greqi, dhe vende të tjera, Partia Socialistë e qendrës së majtë në Francë, është në një rënie elektorale të lirë, me presidentin në detyrë (François Hollande) që është fundosur në sondazhe sa i përket popullaritetit, dhe kur kandidati i partisë që pretendonte ta zëvendësonte atë (Benoît Hamon), përfundoi i pesti në votimin e së dielës, me një rezultat anemik prej 6.4 për qind.
Qendra nuk mund të mbajë më. E megjithatë, ndoshta do të rezistojë në 7 maj, si një “Front Republikan” i bashkuar për të siguruar humbjen e Frontit Nacional. Kjo është një dredhi, të cilën paria politike franceze e ka provuar edhe më herët, më e fundit në zgjedhjet rajonale vetëm 18 muaj më parë.
Ka funksionuar gjithmonë në të kaluarën dhe ka mundësi të funksionojë sërish edhe këtë herë, ashtu si shumica e votuesve në tubime e nënkuptuan sloganin jo pakuptim: “Neoliberalizmi ta shpif. Por, fashizmi është më i keq. Është e thjeshtë”. Edhe për sa kohë mund të mbijetojë një demokraci liberale në kushte të tilla? Ne ende nuk e dimë përgjigjen. Por, gjatë muajve dhe viteve të ardhshme, mund ta zbulojmë atë.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce