Qeveria shqiptare ka filluar procesin për mbylljen e TikTok-ut në rrjetet mobile dhe në ISP-të. Operacioni mund të zgjasë deri në 10 ditë për t’u përmbyllur plotësisht, duke ndikuar kështu në përdorimin e aplikacionit në Shqipëri.
Vendimi për mbylljen e TikTok-ut u mor pas një mbledhjeje të Këshillit të Ministrave më 6 mars, ku u vendos që platforma të mbyllet deri në fund të muajit mars, për shkak të shqetësimeve për përmbajtjet e papërshtatshme për të miturit. Mbyllja do të vijë pas botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare dhe do të zgjasë deri në momentin që kompania TikTok të implementojë filtra më të avancuar për të mbrojtur fëmijët dhe adoleshentët nga përmbajtjet problematike.
Ky vendim u bë i njohur disa javë më parë nga Kryeministri Edi Rama, i cili shpjegoi se mbyllja do të mbajë platformën jashtë aksesit në Shqipëri derisa të vendosen masat e nevojshme për sigurinë e përdoruesve më të rinj.