PS refuzon kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut, duke argumentuar se nuk e pengon hetimin.
“Masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit është vendosur në nëntor 2025. Në 16 dhjetor 2025 Prokuroria i ka kërkuar Kuvendit autorizimin për arrestim.
Këshilli pasi dëgjoi prokurorët dhe mbrojtësit e deputetes, zhvilluam diskutimet tona dhe në përfundim kemi këtë qëndrim.
Prokuroria thotë se janë shtuar fakte dhe episode të reja penale çka e shton sanksionin e veprës dhe dëmin hipotetik që ka pësuar shteti.
Në vlerësimin tonë nëse do pranohet fakti se çdo zgjerim i hetimit konsiderohet rrethanë e re që të justifikojë arrestin, çdo procedim penal me shumë episode do përfundonte në paraburgim”, u shpreh Ulsi Mnaja, teksa lexoi raportin e PS.
Sipas tij “edhe me shtimin e fakteve të pretenduara, vepra penale mbetet e njëjtë. Nuk ka një vepër penale të re që ti jetë shtuar Belinda Ballukut”.
“Mbi rrezikun e prishjes së provave: prokuroria përmend mundësinë e ndikimit përmes personave me influencë si dhe tentative presioni ndaj dëshmitarëve. Lidhur me këtë pretendim në kërkesën e SPAK, prokuroria i referohej faktit kur ishte Ministre. Ky shkak tani ka rënë. Ndaj Ballukut nuk ka një akuzë për pengim të drejtësisë. Nuk ka asnjë provë, direkte apo indirekte kur deputetja të ketë përdorur ndikimin e saj për të prishur provat”, u shpreh Manja.
Manja u ndal edhe te rreziku për intimidimin e dëshmitarëve nga Balluku, duke thënë se kjo nuk qëndron.
“Na u paraqit një procesverbal ku dy shtetase bisedojnë me njëra-tjetrën lidhur me dëshminë që njëra ka dhënë gjatë hetimit në SPAK. Ajo pretendon se ajo është intimiduar. Nuk rezulton as nga procesverbali, as nga deklarimet e kësaj shtetase që ajo të jetë intimiduar, nga deputetja jo e jo, por edhe kur thuhet nga Kabineti, ai është nocion abstrakt. Hetimi penal nuk mund të zhvillohet mbi kabinetin.
Por edhe pretendimi se kjo dëshmitare është intimiduar nga persona të fortë, ajo ka thënë se “unë i qëndroj dëshmisë sime”. Në të gjitha rastet një provë e tillë do të duhet të plotësohet edhe me prova të tjera. Lidhur me dëshmitaren, ajo ka statusin e të pandehurës në këtë procedim dhe sipas Kodit, thëniet e një të pandehure merren me rezervë.
Rreziku i prishjes së provave nuk u provua me fakte reale, por janë konsiderata që në themel të tyre kanë ish-funksionin e ministres që mbante Balluku. Po të kishte prishje provash do kishte një akuzë të dytë për pengimin e drejtësisë”, tha Manja.















