Mijëra qytetarë marshuan sot në Shkup duke kërkuar drejtësi për tragjedinë e 16 marsit në Koçani, ku nga një zjarr në një lokal nate humbën jetën 63 persona, kryesisht të rinj, ndërsa rreth 200 të tjerë u plagosën.
Protesta nisi nga sheshi qendror dhe përfundoi para Gjykatës së Shkupit. Familjarët e viktimave kryesonin marshimin, duke mbajtur një pankartë gjigante me fytyrat e 63 të rinjve që humbën jetën. Në pankartë shkruhej: “63 hije do t’ju ndjekin — çdo shikim kërkon drejtësi”.
“Nuk kërkojmë mëshirë, por të vërtetën dhe drejtësinë. Dhimbja është e jona, por beteja është për të gjithë. Na duhet mbështetja juaj”, deklaruan familjet në thirrjen e tyre publike.
Protesta u zhvillua pak ditë para nisjes së gjyqit për zjarrin tragjik, i cili do të hapet më 19 nëntor në sallën gjyqësore të burgut të Idrizovës. Në total, 37 persona do të dalin në gjyq, mes tyre pronari i lokalit, tre ish-kryetarë bashkie të Koçanit, dy ish-ministra të Ekonomisë dhe zyrtarë të tjerë të lartë që akuzohen se me veprimet ose mosveprimet e tyre kanë ndikuar në tragjedi.
Hetimet zbuluan se zjarri u shkaktua nga fishekzjarrët e përdorur gjatë një koncerti, ndërsa lokali nuk plotësonte kushtet minimale të sigurisë dhe funksiononte me leje të falsifikuar – elemente që kanë ndezur zemërimin e opinionit publik.
Tragjedia e Koçanit ka tronditur Maqedoninë e Veriut, ndërsa familjarët dhe qytetarët e Koçanit vijojnë protestat duke kërkuar përgjegjësi dhe transparencë.















