Koordinatori politik i Partisë Demokratike për kryeqytetin, Klevis Balliu tha se më 23 dhjetor, Tirana do të jetë nën kontrollin e qytetarëve. Balliu, i ftuar në “Opinion” me gazetaren Nisida Tufa në News24, tha se protesta është propozua nga strukturat e PD-së. Gjithashtu sipas tij, më 23 dhjetor do të bllokohen rrugët e korrupsionit, jo rrugët për qytetarët. Më tej ai tha se kërkojnë që në Shqipëri të bëhen zgjedhje normale dhe mos të ketë banda që marrin peng procesin.
Përsa i takon kërkesës për Qeveri teknike, Balliu tha se këtë e kërkojnë nga Partia Republikane në SHBA, dhe partitë e qendrës së djathtë dhe të djathtë, në të gjithë Botën përmes 3 rezolutave të miratuara tashmë. Në këtë kuadër, Balliu tha se qeverinë teknike në Shqipëri e kërkon Bota perëndimore. Sipas tij, nuk është hequr dorë nga asnjë skenar i mosbindjes civile.
“Nuk ka rëndësi data, por arsyet e kësaj proteste. Çdo qytetar që e ndjen xhepin e tij më bosh se kurrë justifikon çdo akt të mosbindjes civile. Janë 3 rezoluta jetike për demokracinë tonë. Qeveria përdor krimin e organizuar në zgjedhje dhe në kushte të tilla qeveria teknike është jetike për zgjedhje të lira dhe me standarde. Më 23 dhjetor, Tirana do të jetë nën kontrollin e qytetarëve. Qytetarët kanë të drejtën e tyre të protestojnë. Ne kërkojmë që në Shqipëri të bëhen zgjedhje normale, mos kemi bandat që marrin peng procesin”, tha Balliu.