Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë u sekuestruan 9000 m2 tokë arë në Fushë Prezë.
Në kuadër të hetimit mbi procedimin penal nr.2754 të vitit 2025 të regjistruar për ‘Mashtrim’ dhe ‘Pastrim i produkteve të veprës penale’, rezultoi se shtetasi A.T. arriti të përvetësojë nëpërmjet mashtrimit dhe shpërdorimit të besimit 9000m2 tokë dhe më pas e ka shitur për përfitime monetare.
Hetimet nisën pasi shtetasi M.D. kallëzoi në prokurori se toka arë e gjyshit të tij e përfituar me ligjin nr.7501, nuk figuronte më si pasuri e familjes së tij.
Nga hetimet, u arrit në konkluzionin se kjo pasuri kishte kaluar në pronësi të shtetasit A.T. edhe pse pronarë kanë qenë e gjithë familja dhe pasuria nuk mund të shitej apo tjetërsohej, pa miratimin dhe pëlqimin e anëtarëve të tjerë të familjes bujqësore, të cilët kanë qenë pjesë e saj në vitin 1992.
Nga dokumentacionet e administruara, rezulton se shtetasi A.T. zotëronte këtë pasuri. I pyetur për blerjen, shtetasi A.T. ka dhënë dy versione për pasurinë, një herë se prona ka qenë e babait të tij dhe ai disponon dokumentacion të vjetër dhe më pas ka deklaruar se e ka blerë. Ndërkohë që nuk ka të dhëna se shtetasit e mësipërm kanë pasur aftesi paguese dhe burim për të paguar shumën e parave prej 62.203.500 leke apo (450.000 Euro) të paguar për blerjen e pasurisë. Kete pasuri shtetasi A.T. ia dhuron në vitin 2016 shtetases B.V, e përfaqësuar me prokurë nga A.V. Ky shtetas shpjegoi se pasurinë e mësiperme e ka blerë në vlerën 100.000 Euro nga A.T.
Nga tërësia e hetimit, rezultoi se shtetasi A.T. ka mashtruar shtetasin H.D., duke i marrë pasurinë dhe duke e kaluar në pronësi të tij.