Ylli Ndroqi i ka kushtuar një homazh prekës Artur Zhejit, duke e kujtuar si “njeriun që jetoi 360 gradë”, por që u nda papritur nga jeta ditën e sotme.
postimi:
Tur Zheji, vëlla, ose Zoti 360 gradë, siç të quanim miqësisht, kur iu bashkove familjes mediatike Yldon Media Group, në vitin 2017, zemra më rrahu fort, kur mësova për ty. Shumëçka më kaloi ndër mend ashtu rrufeshëm, siç ishte edhe ikja jote e pakohë. Tamam si këto stuhitë e fundgushtit në detin e pamasë, që ti e doje aq shumë.
E di, sot ishte ditë e rëndësishme për ty. Duhet të kesh qenë i gëzuar: festoje ditëlindjen e Patrikut. Ai tashmë është burrë. Kam qenë dëshmitar i shkëlqimit të syve dhe gëzimit të shpirtit që të jepte kjo ditë. Rrufeshëm mu kujtua festa e 15-vjetorit të tij, shtatë vite më parë, po atje buzë Jonit. Zoti të deshi pranë vetes në ditën dhe vendin që i kishe aq për zemër. U lidhët përjetësisht, në formën më sublime: dita e parë e jetës për tët bir, e fundit për ty. Një cikël 360 gradë.
Thonë se zemra të “tradhtoi”. Paska qenë pika jote e dobët, përballë mendjes së ndritur, penës së fortë dhe argumentit logjik, gozhdues e kritik. I vërtetë dhe gardian i së vërtetës. Gazetar kalibri e gazetar “lufte”, siç thuhej dikur për vlerësim në tregun mediatik që na ndërthurte jetët.
Përtej të gjithave, njeri! Mungesën tënde do ta ndjejmë. Prehu i qetë, Tur Zheji, përtej, krah familjarëve e paraardhësve të ndritur, që të gjithë bashkë bëtë shumë për një Shqipëri më të mirë. Gjetsh paqen e kërkuar