Protesta e 12-të e Partisë Demokratike para godinës së Bashkisë e Tiranë, zhvilluar paraditen e kësaj të premte, u karakterizua nga një shtim i dhunës policore ndaj politikanëve të opozitës dhe qytetarëve që merrnin pjesë në të. Një ndër ata që u goditën edhe me gaz lotsjellës ishte Klevis Balliu, koordinatori rajonal i PD në Tiranë.
I ftuar mbrëmjen e kësaj të premteje në një studio televizive, Balliu bëri një krahasim për ta ilustruar bindjen e tij se Shqipëria ka Polici të Pushtetit.
“Mendoj se është qartë tanimë që kemi të bëjmë jo më me Policinë e Shtetit, por me Policinë e Pushtetit! – tha Balliu, lidhur me dhunën që përjetoi edhe në këtë protestë nga forcat që mbronin kryebashkiakun Erion Veliaj. – Policia e Pushtetit do të bëjë gjithë çka në dorë për të mbrojtur pushtetin e korruptuar.
Po të shikosh, ka shfrenim të dhunës policore! Ka një shfrenim të dhunës policore – ndaj qytetarëve, por ka një zbutje të Policisë e të aksioneve policore – ndaj krimit të organizuar!
Pse ndodh kjo?! Sepse tani e gjithë fuqia dhe gjithë ajo çka përkufizon Policinë është e lidhur me interesat e pushtetit dhe jo me interesat e shtetit! Në këtë kontekst, këto janë arsyet pse ju shihni policë duke u përplasur me qytetarët dhe jo policë duke u përplasur me krimin e organizuar.
Imagjinoni vetëm për një sekondë sikur të ishte kjo armatë policie në Fushë Krujë apo në Shkodër, ku ka organizatë kriminale të frikshme, tejet të rrezikshme, sesi do të ishin ato qytete sot,” nënvizoi Balliu.