Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në Rajonin Tiranë ka referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë materialet proceduriale në ngarkim të punonjësit të policisë Eljo Hasa, me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 5, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kanosja” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se mbrëmjen e djeshme, zoti Hasa është përfshirë në një konflikt fizik me disa persona në ambientet e një lokali në Tiranë. Konflikti ka nisur për motive të dobëta dhe më pas, sipas hetimeve, punonjësi i policisë ka kanosur me armën e shërbimit personat me të cilët ishte në konflikt.
Në përputhje me kompetencat, Agjencia ka nisur hetim disiplinor‑administrativ ndaj punonjësit të policisë dhe ka paralajmëruar vijimin e hetimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe të rrethanave të saj.