Erjon Alibej, njëri nga bashkëpunëtorët e drejtësisë, reagoi këtë të enjte në seancën gjyqësore të “Plumbit të Artë”, ku pretendoi se mediat kanë insinuuar duke prekur atë dhe familjen e tij në aspektin moral.
Duke iu drejtuar gjykatës, Alibej u shpreh se në rast se do të përsëritet e njëjta gjë, atij do t’i duhet t’i drejtohet me kërkesë trupës gjyqësore që në seancën e ardhshme të jetë i pranishëm ose ai, ose gazetarët e kronikës.
I sugjeroj gazetarëve të kthejnë gishtin nga vetja para se të flasin për të tjerët. Jemi pak të shqetësuar për këtë situatë,” u shpreh bashkëpunëtori i drejtësisë para togave të zeza.
Deklaratat e Alibeaj vijnë pasi në seancën e shkuar të megaprocesit “Plumbi i Artë”, një prej të pandehurve, Xhuljan Hoxha, deklaroi se Alibeaj i ka folur për vrasjen e Kastriot Kilës, i njohur ndryshe si Oti. Sipas Hoxhës, Alibeaj ka porositur vrasjen e Kilës, duke përmendur si motiv lidhjet intime të Kilës me bashkëshorten e Alibeajt.
Sakaq, seanca gjyqësore nuk u zhvillua këtë të enjte, duke u shtyrë për të martën në orën 10:00, për shkak të mungesës së dy mbrojtësve ligjorë.
Gjykata e Posaçme vendosi pezullimin e afateve të paraburgimit për të gjithë të pandehurit deri në seancën e ardhshme.