Skënderbeu nuk ka arritur më shumë se një barazim përballë Kamzës, që tashmë nuk mund ta quajmë më një surprizë. Ndeshja ka përfunduar me rezultatin 1-1, si ajo në fazën e parë, ku korçarët kalojnë të parët në avantazh dhe më pas barazohet gjithçka. Ky barazim ka çuar në 17 pikë Kamzën që mbanë vendin e katërt, ndërsa Skënderbeu mbetet në vendin e parë me 27 pikë, por i jepet mundësia Kukësit që tu afrohet kryesuesve.
Ndeshja ka qenë e dominuar nga formacioni i Dajës, por ka pasur edhe disa shpërthime si ai në momentin e golit të barazimit. Është Radas që kalon në avantazh Skënderbeun në minutën e 66’, me anë të një goditje dënimi. Por Plaku, një ish i korçarëve ka arritur të barazojë gjithçka vetëm 5 minuta para fundit.
Teutës së Maganit i ka mjaftuar ai gol në minutën e 15’ të pjesës së parë për të marrë tre pikë dhe për të konfirmuar ecurinë pozitive. Gjithçka u vendos pas një gabimi të mbrojtjes së Vllaznisë dhe më pas gjithçka ka qenë e barabartë. Gjoka e kishte përgatitur mjaft mirë këtë ndeshje dhe arriti të tregonte një futboll mjaft të bukur ku mungoi vetëm goli. Ndërsa Teuta shënon me Cyrben dhe më pas mundohet të administrojë rezultatin dhe ia del mjaft mirë. Një fitore që e rikthen Teutën në vendin e 6, duke lenë pas Partizanin dhe barazon Laçin.