Me 13 vota pro dhe 1 abstenim, Këshilli Bashkiak i Hasit shpalli Gafur Mazrekun “Qytetar Nderi” të Hasit, me motivacionin “Personalitet Intelektual, për kontributin e pashoq në Pushtetin Vendor”. Por kjo gjë nuk ka kaluar në vesh të shurdhër, pasi është vetë kryeministri Rama, që ka shpërthyer në revoltë të hapur. Gjithë përgjegjësia bie mbi këshilltarët, për të cilët është shprehur pa rezerva, madje ka kërkuar llogari.
Kryeministri ka shpërthyer me tone të ashpra gjatë mbledhjes së grupit Parlamentar, duke e dënuar këtë akt që kanë marrë këshilltarët e Hasit. Rama është surprizuar nga ky vendim, duke ngritur pikëpyetje se çfarë po bëhet kështu.
“Janë bërë propozime pa na pyetur, nuk dimë gjë. Nuk duhet propozuar. Çfarë janë këta këshilltarë që bëjnë të tilla propozime”, mësohet të ketë thënë Rama.
Kujtojmë që Mazreku ka qenë deputeti i PS-së në vitin 1997, dhe ka tentuar të qëllojë më armë Azem Hajdarin në Kuvend.
Mazreku qëlloi me armë deputetin e ndjerë Azem Hajdari në 18 shtator të vitit 1997, brenda Parlamentit të Shqipërisë. Pas një konflikti që degjeneroi në fyerje, Mazreku nxori armën dhe qëlloi me tre plumba Hajdarin në korridoret e Kuvendit, duke e plagosur rëndë. Hajdari i mbijetoi atentatit të Mazrekut.
Partia Socialiste në atë kohë u distancua nga ngjarja dhe kërkoi dënimin e deputetit të saj. Mazreku u dënua me 11 vite burg, por kreu vetëm 5, pasi përfitoi nga amnistia. Jo shumë kohë pasi u lirua nga burgu, Mazreku ndërroi jetë, si pasojë e një sëmundje të rëndë.