https://www.facebook.com/tiranatodaycom/videos/359441461167264/
Hero romantik dhe represiv. Njeri i veprimit dhe intelektual. Miti dhe realiteti i një embleme të shekullit XX-të, në rrëfimin e biografit të tij më të madh. Gazetari amerikan, Jon Lee Anderson, autori i biografisë monumentale “Che, nje jetë revolucionare” të botuar për herë të parë në vitin 1997, flet për domethënien e kësaj figure kontradiktore, 50 vjet pas vrasjes së tij në Bolivi.
Pesëdhjetë vjet nga vdekja e tij më 9 tetor 1967, çfarë mbetet ende nga Che? A është thjesht një fytyrë e stampuar mbi një bluzë? Popullariteti i Che Guevara-s ka pasur uljet-ngritjet e veta, gjatë këtij gjysmë shekulli. Pas vdekjes, u bë një figurë pop dhe simbol i revoltës anembanë botës, deri në fillimin e viteve 1980. Në vitet ’60-‘70 ishte një klishe, në SHBA posterat e tij ndereshin mureve në dhomat e studentëve në konviktet e kampuseve universitare. Më pas, fama e tij u zbeh.
U rikthye disi në modë në fund të shekullit të shkuar, kur u gjetën eshtrat e tij në Vallegrande, Bolivi, dhe më pas me fillimin e bumit turistik në Kubë, dhe ardhjen në pushtet të Hugo Chavez-it në Venezuelë. Në 6-7 vitet e fundit, ka filluar një sezon i ri i harresës, por unë mendoj se Che, përtej koefiçentëve të shitjes së imazhit të tij, është tashmë arketip universal si Ikari, është arketipi i rebelimit dhe do të mbetet përgjithmonë miti i luftëtarit universal.
Çfarë mendoni për marrëdhënien midis së vërtetës historike dhe ikonës? Në mitin e Guevarës del më në pah fasada heroike, por personaliteti i tij është shumë më kompleks. Sot, për shembull, ka nga ata që kujtojnë rolin e tij në gjyqet farsë dhe pushkatimet pas fitores së revolucionit në Kubë…
Për mua nuk ka asnjë anë të errët. Guevara ishte një luftëtar guerrilas. E çfarë mund të prisni nga një luftëtar guerrilas? Mos vallë një guerrilasi është vetëm një poster? Një fytyrë e bukur? Che Guevara nuk qe as Mandela, dhe as Nënë Tereza e Kalkutës. Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi i botës së konsumit në të cilën ne jetojmë. Ikonografia e Che-së, është shumë sipërfaqësore, në imagjinatën kolektive ai mbeti si fytyra e bukur e një heroi dramatik, por ai jetoi në një botë reale.
Jo në botën e iPhone-nëve ku protesta aktuale është një klik, një “like” apo “don’t like”. Nuk ishte një botë e Facebook-ut, ajo qe një botë e vërtetë. Dhe tani zbulohet se Guevara urdhëroi ekzekutime pa një proces të rregullt gjyqësor, se pushkatoi kundërshtarët e tij. Me fitoren e revolucionit në Kubë më 1959-ën, u arrestuan pjesëtarët e ushtrisë së Batistës, oficerët e policisë sekrete dhe torturuesit.
Njerëz të cilët, ndërsa Castro dhe Guevara ndodheshin në Sierra Maestra, i ishin përkushtuar gjuetisë ndaj simpatizantëve të guerrilasve nëpër qytete. Dhe çfarë u bënin atyre? I ofruan ndonjë për të pirë shishe Coca-Cola? Jo, i masakronin dhe i varnin nëpër pemë. Che Guevara në Cabana drejtoi gjykata speciale, që dënuan me vdekje zyrtarët e regjimit të mundur.
Një aspekt kontradiktor për një mit romantik…
Sigurisht. Por kjo duhet të gjykohet në kontekstin e kohës. Nga ana tjetër, Che Guevara, predikoi përdorimin e luftës së armatosur për ndërtimin e utopisë shoqërore në Tokë, kështu që në botën e sotme sigurisht që është një figurë e diskutueshme. Por ne po flasim për botën e Luftës së Ftohtë. Ajo ishte koha e tij.
Njëzet vjet më parë, e gjykonit ndryshe?
Po. Kur flisja për pushkatimet, askujt nuk rrudhte vetullat. Sot, megjithatë, muajt e përgjakshëm të Guevara-s në Cabana janë një shqetësim. Për mua kjo është shumë interesante, pasi zbulon se si çdo gjeneratë e sheh historinë e mëhershme me kodet e saj, dhe tenton ta gjykojë atë jashtë kontekstit. Po marr një shembull tjetër: sot po diskutojmë nëse Fidel Castro ishte homofobik, dhe kujtojmë fushatat kundër homoseksualëve gjatë viteve të para të Kubës revolucionare.
Por asokohe kjo nuk ishte një çështje. Gjithkush ishte homofobik, padyshim përveç homoseksualëve. Fatmirësisht, shoqëria perëndimore evoluon dhe sot ne e pranojmë martesën mes homoseksualëve, si një të drejtë normale të tyre. Prej sa kohësh? Dhjetë vjet më parë, qe diçka e pakonceptueshme. Është e pashmangshme të gjykosh personazhet e së kaluarës, me perceptimet tona të sotme.
Si do ta përshkruanit marrëdhënien midis Che Guevara-s dhe Fidel Castro-s?
Filloi si një raport i admirimit absolut nga ana e Guevara-s. Ai u vu në shërbim të Castro-s. Dhe është shumë e qartë, nga gjithçka që ka shkruar, se nuk pati asnjëherë njëlloj rivaliteti nga ana e Che. Ai njohu dhe respektoi gjithmonë rolin e Fidel Castro-s, si komandant i përgjithshëm i revolucionit, si udhëheqës kombëtar i Kubës.
Ajo që ndodhi, pak a shumë që nga kriza e raketave në vitin 1962, ishte se Guevara e kuptoi se Castro qe i detyruar të pranonte pragmatizmin e qëndrimeve sovjetike, ndërsa ai ishte duke u shndërruar çdo ditë e më shumë në një kamzhik të imperializmit të dyfishtë, në Uashington dhe Moskë. Ai i pa sovjetikët si dekadentë dhe të korruptuar, dhe aspak socialistë. Këtë fakt nuk e duronte dot. Ndaj u përpoq gjithmonë të rikthehej në terrenin e guerriljes, aty ku ndjente se vihej në jetë teoria e njeriut të ri.
Përse u largua nga Kuba?
Sepse ishte i lodhur, pasi mendonte se kishte bërë atë që duhej, dhe për shkak se ai i Kubës nuk qe revolucioni i tij. Guevara kishte dërguar tashmë miq dhe shokë, si Jorge Masetti, të vdisnin duke u përpjekur të ndiznin një zjarr guerrilas në vendlindjen e tij, Argjentinë. Dhe ai e ndjeu peshën psikologjike të të vdekurve.
Shkoi në Bolivi për të hapur një front lufte, që pastaj do ta çonte në Argjentinë. Unë nuk mendoj se ka pasur një përçarje midis Castro-s dhe Guevara-s. Thjesht, mendoj se ata e kuptuan se rrugët e tyre qenë të ndara. Che nuk ishte aspak diplomatik. Sovjetikët nuk e honepsnin dot, dhe e qortonin Castron se përse e merrte vazhdimisht në mbrojtje.
A qe zgjedhja e Bolivisë një aventurë vetëvrasëse që nga fillimi?
Nuk e besoj. Disa nga guerrilasit e atij misioni mbijetuan. Mund të kishte mbijetuar edhe Che. Por në momentin kur nis një aksion guerrilas, fillon të bashkëjetosh me vdekjen. Me tënden dhe atë të shokëve. Guevara e dinte se kishte shumë mundësi që të vdiste. Që nga fillimi, basti i guerrilasve në Bolivi ishte shumë i rrezikshëm, por jo domosdoshmërish vetëvrasës.
Sot mund të themi se qe një bast i gabuar. Por po kështu kishte qenë edhe ajo e guerrilasve në Kubë, para se të kishte sukses. Bolivia ishte një mision tepër joshës, por fitorja në Kubë ishte shndërruar në paradigmën që duhej përsëritur.
A ka ende ndonjë mister mbi vdekjen e tij?
Che Guevara u kap më 8 tetor 1967. Mëngjesin tjetër u ekzekutua, me urdhër të presidentit bolivian, René Barrientos. Unë mendoj se versioni i CIA-s, sipas të cilit amerikanët preferonin ta merrnin me vete të gjallë, është i vërtetë. Ata donin ta merrnin në pyetje për të vjelur informacione. Ata mendonin se mund ta përdorin atë si mall këmbimi me Castro-n. Por në fund, vrasja ishte në fakt një lehtësim për të gjithë.
Le të bëjmë një bilanc:idetë revolucionare të viteve 1960 nuk lanë pas realitete shumë inkurajuese. Kuba është një regjim familjar. Në Nikaragua, Daniel Ortega, është shndërruar në një satrap. Venezuela është katastrofa që po ndodh aktualisht para syve tanë…
Dakord, por nëse është e vërtetë që në shumë raste revolucionet e majta kanë përfunduar keq, është gjithashtu e vërtetë se Amerika Latine, si një e tërë, është një hemisferë me një problematikë specifike, ku edhe e djathta e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, ka dështuar. Nuk është e mundur të matet suksesi i një politike, vetëm me indekset ekonomike. Pse, përveç Kubës, Amerika Latine ka normat më të larta të dhunës në botë? Pse nuk ka një shtet të së drejtës? Pse narkotrafiku në disa vende, është po aq kanceroz sa ISIS-i në Siri? Unë do të thoja se në Amerikën Latine kanë gabuar gjithë.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce