Po shoqërohet me tensione dhe akuza të forta mes kandidatëve për deputet, fushata zgjedhore në qarkun e Lezhës. Kandidati i koalicionit “Shqipëria Madhështore”, Gjin Gjoni, ka akuzuar disa zyrtarë lokalë si të përfshirë në blerje votash, duke i denoncuar ata publikisht me emra. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Gjoni publikoi edhe një video, duke shkruar:
“Grupet për mbrojtjen e votës në ndjekje të njerëzve që dalin natën për qëllime të mbrapshta elektorale. Ne jemi kudo. Do t’ju ndjekim këmbë për këmbë.”
Menjëherë pas këtij reagimi, Partia Socialiste reagoi përmes kandidatit të saj për deputet, Ermal Paci, i cili paraditen e sotme shkoi në Drejtorinë e Policisë së Lezhës për të depozituar një kallëzim penal për shpifje. Në një deklaratë për mediat, Paci u shpreh se persona të armatosur kanë shkuar gjatë natës pranë banesës së babait të një kandidateje për deputete të PS-së në Lezhë, duke ushtruar presion dhe kërcënime. Ndërkohë, burime nga Policia e Lezhës konfirmojnë se dy persona janë shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme nëzonën e Dajçit.