Një person është marrë nën hetim për vrasjen e ish-gardianit të burgut, Fatos Cenajt në Itali. Fqinji italian i 58-vjeçarit është personi i dyshuar për vrasjen e shqiptarit.
Mediat italiane shkruajnë se grindjet e shpeshta mes tyre dhe përplasjet për kufijtë e pronësisë besohet të jenë motivi themelor që e shtyu fqinjin e Fatos Cenajt të planifikonte pritën në Fontaniva më 8 qershor që çoi në vdekjen e 58-vjeçarit shqiptar pas tre ditësh në luftë me plagët.
Vrasësi që planifikoi dhe ekzekutoi vrasjen e Cenajt është tani nën hetim për vrasje me dashje. I dyshuari është me origjinë italiane dhe punon si punëtor në një fabrikë lokale. Familja e 58-vjeçarit kishte aq shumë frikë prej tij saqë u largua pas vdekjes së Cenajt.
Sipas hetuesve italianë, mëngjesin e 8 qershorit, i dyshuari e priti viktimën, i fshehur midis pemëve, disa qindra metra larg fermës Dindo ku punonte Cenaj.
Kur e pa të kalonte me triçikletë, qëlloi me armë. Plumbi e goditi 58-vjeçarin nga pas, pak mbi vesh, duke e lënë pa ndjenja. I dyshuari mori gëzhojën dhe iku me biçikletën e tij, duke u zhdukur pa lënë gjurmë. Fatos Cenaj vdiq në spital disa ditë më vonë. Rezultatet e analizës balistike që iu besua Karabinierëve të RIS në Parma priten të hedhin më shumë dritë mbi ngjarjen në ditët në vijim.