Sot, 27 janar, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, bën thirrje për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor dhe të drejtave universale për të jetuar në paqe.
Në mesazhin e tij, Presidenti thekson rëndësinë e kujtesës si një mjet për të parandaluar pasojat e urrejtjes etnike, racore, fetare dhe antisemitizmit.
“Dita e Kujtesës duhet të shërbejë si një thirrje e ndërgjegjes kolektive për të mbrojtur me humanizëm dhe përgjegjësi të drejtën e të gjithëve për të jetuar me dinjitet dhe në paqe, sepse të gjithë i kemi parë pasojat e tmerrshme të urrejtjes”, shkruan Kreu i Shtetit në “X”.
Begaj vlerëson po ashtu humanizmin dhe guximin e shqiptarëve, që gjatë Luftës së Dytë Botërore mbrojtën dhe mikpritën hebrenjtë që u strehuan në Shqipëri, duke i shpëtuar shfarosjes naziste.
“Kjo ditë sjell në vëmendje guximin dhe shpirtin solidar të popullit shqiptar, që mbrojti me dinjitet çdo jetë të rrezikuar”, thuhet në mesazhin e tij.















