Kapiteneria e Vlorës ka publikuaar një njoftim të rëndësishëm mbi përkeqësimin e situatës hidrometeorologjike detare brenda dhe jashtë gjirit, gjatë datave 16-17-18-19 nëntor 2025.
Sipas parashikimeve, duke nisur nga ora 23:00 e datës 16 nëntor, era në drejtimin jug–juglindje pritet të arrijë forcën 6-7 ballë, me shpejtësi 15-20 m/s, ndërsa lartësia e dallgëve parashikohet të ngjitet nga 1.5 deri në 2.5 metra.
Për këtë arsye, Kapiteneria ka njoftuar disa masa të detyrueshme:
Është ndaluar pajisja me leje-nisje për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit që synojnë të operojnë brenda gjirit të Vlorës ose në det të hapur. Ndalimi është në fuqi nga ora 23:00 e 16.11.2025 deri në ora 08:00 të datës 19.11.2025.
Drejtuesit e mjeteve të vogla dhe anijeve të peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë gjirit kërkohen të marrin masa shtesë sigurie për shkak të kushteve të vështira detare.
Subjektet dhe institucionet që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë duhet të rrisin gatishmërinë e ekuipazheve dhe të sigurojnë mjetet në port, për të shmangur çdo situatë të papritur.
Anijet e transportit ndërkombëtar do të vijojnë operimin normalisht sipas destinacioneve përkatëse.
Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike parashikohet të nisë pas orës 08:00 të datës 19.11.2025, kur kufizimet për mjetet e vogla pritet të hiqen.















