Kjo është një intervistë e realizuar në kuadrin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Dy pasardhësit e Ismail Qemalit, Ariana dhe Darling Vlora rrëfyen si u la në harresë familja e burrit që i dha shqiptarëve Pavarësinë.
Nga Leonard Veizi
Nuk është se i besojnë thjesht a në mënyrë të verbër një formulimi shkencor që flet për transmetimin e kodit gjenetik nga njëri brez tek tjetri. Ata shkojnë më tej se kaq, me një ndjesi të brendshme që e bën dhe më të papërballueshme temperaturën e asaj çka kërkojnë të thonë. Bashkë me ADN-në kanë marrë dhe sasinë e mjaftueshme të kohës që u duhet për të përligjur aureolën që i jep prapashtesa e emrit. Ndaj duket se përjetojnë gjithçka, si të kenë qenë edhe ata të dy pikërisht atje, 102 vite më parë, mbi ballkonin e shtëpisë dhe kanë vendosur duar e tyre mbi dorën e tij, për të ngritur Flamurin. Nuk është thjesht një ëndërr që fanitet diku pas mesnate e prishet në mëngjes pa aguar, por një ndjesi që fluturon në kohë me shpejtësi kozmike për ta përsëritur të njëjtin veprim disa qindra herë me radhë, pa u lodhur…
…Të paktën dy prej djemve të tij prodhuan meshkuj të tjerë. E as që mund të mendohej se vazhdimësia e familjes Vlora do ta kishte pikën e këputjes te vdekja e Ismail Qemalit. Për më tepër që ai la pas vetes 9 fëmijë, 6 djem edhe 3 vajza. E megjithatë për shumëkënd, familja Vlora, në vijimësinë e saj mashkullore pushoi së ekzistuari. Në qitapë ishte shënuar data e vdekjes së tij. Më tej asgjë… Por nuk ishte kështu. Ariana Vlora, pasardhëse e Ismail Qemalit dhe mbesa e Qamil Vlorës, si dhe Darling Vlora, me të njëjtin status rrëfejnë detajet e panjohura të jetës së familjes patriotike, e cila jo vetëm i dha Perandorisë më të madhe të kohës disa drejtues të fuqishëm guvernash, por dhe kryeministrin e parë të shtetit Shqiptar, të cilin ai vetë e shpalli “të mosvarme”.
Si e keni ndjerë veten kur u përballët me faktin se jeni një nga pinjollët e familjes së Ismail Qemalit?
Ariana Vlora: – Kjo ndjesi e fortë, në fakt ka ardhur shumë natyrshëm tek unë. Jam rritur në një familje ku flitej për tradita e vlera njerëzore dhe isha e parapërgatitur që unë isha trashëgimtare e një familje që kishte vlera dhe që kishte bërë diçka të mirë për vendin. Dhe natyrisht kur u përballa dhe mësova plotësisht të vërtetën e ndjeva veten shumë krenare. Kur në shkollë bënin lëndën e historisë e letërsisë dhe kur flitej për rilindjen, pavarësinë e posaçërisht për figurën e Ismail Qemalit, unë ndjeja një krenari të ligjshme që isha një pasardhëse e tij. Pra isha pinjolle e familjes që shkriu pasurinë për të bërë shtetin shqiptar. Në familje ne mbanim një album me fotografitë e rilindësve dhe të shumë figurave të tjera të shquara të kombit, ku për të thënë të vërtetën, ajo e Ismail Qemalit dominonte dhe ishte më e madhe se të tjerat. Kur mësuesit na kërkonim që të sillnin në klasë dhe tekste jashtëshkollore për të ilustruar më mirë lëndën, unë me një dëshirë të madhe çoja gjithmonë këtë album.
Në 100 vjetorin e Pavarësisë familja juaj u përfaqësua gjatë ceremonialit. Për 50 vjetorin një gjë e tillë nuk ndodhi. Përse?
Darling Vlora: – Marrëdhëniet e familjes Vlora me sistemin komunist nuk kanë qenë aspak të mira. Gjyshi im, Qamil Vlora nuk pranoi të bashkëpunonte me regjimin e Hoxhës kështu që me një pretekst për armëmbajtje pa leje, ai kaloi dy vite në një burg ordiner. Më pas familja e tij u la në hije të plotë duke e detyruar të ndërronte dhe mbiemrin, me qëllim që të mos bëhej lidhja e pasardhësve me Ismail Qemal Vlorën. Dhe morëm mbiemrin Ismaili. Pas vitit 1990 ne rimorëm sërish mbiemrin tonë të vjetër, atë që na takonte. Regjimi komunist përkujtonte burrin që shpalli Pavarësisë, por denigronte familjen e tij, madje deri aty sa u tha se Ismail Qemali nuk ishte martuar e nuk trashëgoi fëmijë. Ndërkohë unë vetë jam marrë me studimin e pemës gjenealogjike që e kam përfshirë në një libër të ribotuar së fundmi. Në vitin 1962, në festimet e bëra me rastin e 50-vjetorit të Pavarësisë, asnjë prej pjesëtarëve të familjes Vlora, pasardhësve të Ismail Qemalit nuk ka qenë pjesëmarrës dhe as i ftuar. Por në 100 vjetor përfaqësuesit e familjes Vlora ishin të pranishëm në të gjitha aktivitetet e bëra me këtë rast. Kemi pasur ftesa nga Presidenca, Kuvendi i Shqipërisë, Kryeministria e Ministria e Jashtme. U deshën 50 vjet që ne pasardhësit e Ismail Qemalit të mos ishim më anonim.
Të qenit pasardhëse e njeriut të Pavarësisë u jepte mundësinë të ishit “e para e klasës”?
Ariana Vlora: – Aspak. Nuk ndihesha e privilegjuar. Madje më bënte përshtypje, sepse disa nga shokët e shoqet e klasës, që familjarët e tyre kishin lidhje me Luftën Nacionalçlirimtare, bie fjala kishin ndonjë partizan apo dëshmor, trajtoheshin moralisht shumë më mirë se unë që isha pasardhësja e drejtpërdrejtë e atij burri që i dha pavarësinë Shqipërisë. E njëjta gjë ndodhte edhe me vëllezërit e motrat e mia. Analiza erdhi më pas, por unë kam menduar që atëherë me trishtim: “Përse ne që jemi trashëgimtarët e këtij patrioti, për të cilin flitej shumë në mësimet e shkollës dhe kudo, trajtoheshim moralisht më pak se të tjerët?” E megjithatë mbetesha shumë krenare edhe pas këtij “diskriminimi”. Madje një gjë e tillë më bënte mua, por dhe të gjithëve ne që ishim pjesë e familjes Vlora, që ta kultivonim këtë krenari edhe më shumë.
Sa probleme do të sillte për ju, fakti që ishit nipi e mbesa e Qamil Vlorës djalit të Ismail Qemalit?
Darling Vlora: – Mund të them vetëm që ishte qesharake të shpjegonim se përse e kishim ndryshuar mbiemrin. Shpesh gjenim arsye atje ku nuk kishte arsye. Fjala vjen, u shpjegonin fqinjëve tanë që nuk na lejohej të mbanim për mbiemër një emër qyteti. E kështu me radhë. Pra nuk mund ta thoshim hapur se na kishin detyruar ta bënim një gjë të tillë. Megjithatë të gjithë fqinjët në lagje e dinin historinë e familjes sonë. Në shkollë, pasi krijova besim me disa nga shokët gjithashtu u tregova se si qëndronte puna. Në atë kohë flisja hapur kundër regjimit me Benin, Anilën e Tomin. Por një herë ndodhi që kur kryeja shërbimin e detyrueshëm ushtarak, të thërritesha nga komandanti i batalionit për shkak të një thyerje disiplinore që kisha bërë. Më pyeti se nga isha me origjinë. “Nga Kanina”, i them. Qëlloi që edhe ai ishte nga Kanina. E më thotë: “Kanina ka nxjerrë burra të famshëm, si Ismail Qemalin, ndaj dhe ti nuk duhet të gabosh më”. Ç’t’i thosha. Heshta për momentin, por ia shpjegova më pas se unë isha një nga pasardhësit e Ismail bej Vlorës.
Për shumë kohë nuk njiheshin pasardhësit e Ismail Qemalit. Ndërkohë që ata jetonin në mes të Tiranës. Si u izolua familja juaj?
Ariana Vlora: – Familjen Vlora e ka ndjekur një histori e gjatë persekutimi. Ajo është lënë në harresë qëllimisht. Fillimisht i kam bërë pyetjen vetes: “Vërtet nga shqiptarët na vijnë këto të këqija?”. Dhe përgjigjen sigurisht e kam marrë. “Natyrisht që jo”. Kanë qenë linjat anti-shqiptare që kanë vepruar fort për ta mbajtur nën presion familjen e atij burri që i dha pavarësinë e Shqipërisë, pikërisht në kohën kur trojet tona lakmoheshin të copëtoheshin mes fqinjëve. Babai im, Ismail Vlora, studimet e mesme i kreu në Paris. Në vitet e para të pushtimit mori pjesë në lëvizjet antifashiste studentore dhe bojkotoi studimet në Siena të Italisë. Por, duke parë vijën që po ndiqte lëvizja nacional-çlirimtare, shpejt u distancua dhe shkoi në Vjenë, për të vazhduar studimet e larta, në Fakultetin e Mjekësisë. Studimet e larta nuk i përfundoi dot, pasi u kthye në Tiranë për të takuar familjen dhe nuk mundi të largohej më, për shkak të mbylljes së kufijve. Pavarësisht se im atë kishte një kulturë të gjerë, ishte shkolluar në Perëndim, fliste disa gjuhë të huaja, në Shqipërinë komuniste ishte thjesht punëtor. Megjithatë e rëndësishme është që ai jetoi kryelartë, duke nderuar veten e tij dhe emrin që trashëgonte”.
A keni qenë gjatë gjithë kohës krenar që paraardhësi juaj shpalli Pavarësinë e Shqipërisë?
Darling Vlora: – Them se krenaria ka qenë dhe është maksimale, por nuk është se më bën superior. E kam menduar gjithmonë me vete se jo dhjetë për qind, por edhe sikur një për qind t’i ngjaj Ismail Vlorës jam shumë i lumtur. Sepse ajo çka bëri ai ishte një vepër e madhe, që i qëndroi kohës dhe e përkujtojmë edhe sot pas 102 vitesh. Por gjithsesi, jo çdo çast më duhet të mburrem me këtë fakt. Kjo vlen vetëm për situata të caktuara. Në të kundërt unë jam një njeri i thjeshtë, që merrem me punët e mija e me familjen time.
Jeni pinjolle e fisit Vlora. Cila është pema gjenealogjike që ju çon tek Ismail Qemali?
Ariana Vlora: – Ismail bej Qemal Vlora la 6-të djem, njërit tyre, më i vogli, Qamil bej Vlora ishte dhe gjyshi im. Në fakt, vetëm dy nga djemtë e Ismail Qemalit, i madhi dhe i vogli, lanë trashëgimtarë meshkuj. Qamili u trashëgua me dy djem Ismail Vlorën që është babai im dhe Xhevdet Vlorën. Ismaili gjithashtu do të trashëgohej me dy djem Qamilin dhe Darlingun. Bëra të ditur vetëm degën e meshkujve, meqenëse ata trashëgojnë edhe mbiemrin. Si pinjollë të familjes Vlora ne jemi shumë afër, vetëm dy breza na ndajnë nga Ismail Qemal bej Vlora.
Cila ishte historia e familjes Vlora para shpalljes së Pavarësisë?
Darling Vlora: – Një nga familjet e mëdha që luajti një rol të rëndësishëm në historinë tonë ishte edhe familja ‘Vlora’, e cila, siç thekson Ismail Qemali, në ‘Kujtimet’ e tij: “për shkak të origjinës së saj të lashtë dhe të karakterit të pasur gjeografik të rajonit, ku ushtronte pushtetin, ka pasur ndikim të madh mbi çështjet dhe fatet e Shqipërisë”. Familja Vlora drejtoi për gati 5 shekuj, thuajse në mënyrë të trashëguar, një nga sanxhaqet më të rëndësishëm, atë të Vlorës, që zinte një sipërfaqe prej gati 7.000 km². Ismail Qemali ishte një nga personazhet më të rëndësishëm të familjes së njohur Vlora, një familje e pasur e me shumë tradita. Por familja Vlora ka nxjerrë shumë burra të shquar, që në vitet 1500 kur i pari prej tyre, Sinan Pasha do të merrte poste të larta në Perandorinë Osmane. Pas tij edhe disa të tjerë që u emëruan kryevezirë e guvernatorë. Por në të gjithë linjën familjare, objektivi kryesor ka qenë i njëjtë: Të punojmë për perandorinë por t’i shërbejmë edhe kombit tonë, Shqipërisë. Dhe kështu u mbajt Shqipëria derisa Ismail Qemali arriti të shpallë Pavarësinë. Duhet saktësuar që gjyshin e Ismail Qemalit e ekzekutuan në Stamboll pikërisht se kërkonte t’i jepte autonominë vendit të tij, babanë e tij gjithashtu. Ismail Qemali pavarësisht se punonte për Portën e Lartë si qëllim të vetëm në vetvete kishte bërjen e shtetit Shqiptar. Dhe në fund ia doli.
A keni relika e dokumente të tjera nga Ismail Qemali?
Ariana Vlora: – Ne kemi arritur të ruajmë fare pak relike nga shtëpia e madhe e Ismail Qemalit. Në vitin 1926, disa vite pas vdekjes së Ismail Qemalit, sarajet e tij u shpërdoruan dhe u shkatërruan. Njerëzit e tjerë të afërt të tij jetonin jashtë shtetit dhe kështu që pasuria e tij pësoi një fat të keq. U zhdukën dhe shkuan në duar të tjera, shumë sende me vlerë dhe dokumente të cilat nuk po i gjejmë më. Prej kohësh edhe dy vëllezërit e mi janë aktivë në çështjen e familjes Vlora, por më shumë spikat Darlingu. Ai ruan si gjërat më të shtrenjta dhe disa relike të familjes.
Çfarë keni të ruajtur nga reliket e Ismail Qemalit?
Darling Vlora: – Ato që ruaj unë janë shumë të pakta. Kam në koleksionin tim disa gazeta e revista që mbante Ismali Qemali, e ku kishte dhe intervista të tij. Ndër to kam një revistë të vjetër franceze të vitit 1917 me një intervistë interesante. Por kam dhe disa foto origjinale. E veçantë është një kartolinë e vitit 1908 kur karroca e tij tërhiqet nga njerëzit për ta futur në Vlorë. Por kam dhe një Kuran të tij ose më saktë të familjes. Është një gjë e rrallë, sepse është unik. Një kuran me format të vogël, të cilët bëheshin me porosi nga shkrues të veçantë.
Pra shtëpia e Ismail Qemalit nuk ekziston më?
Ariana Vlora: – Jo. Atje tani është ndërtuar “Sheshi i Flamurit”. Ndërsa pikërisht atje ku është vendosur shtiza që mban flamurin Kuq e Zi, binte dhoma ku është ngritur realisht flamuri me shqiponjë në 28 nëntor të vitit 1912. Më pas shtëpia e Ismail Qemalit u përdor si selia e parë e shtetit shqiptar, sepse në ato kushte natyrisht që nuk flitej për ndonjë godinë tjetër. Ismail Qemali vuri në dispozicion të shtetit të sapoformuar gjithçka të tijën, paratë dhe sarajet. Sigurisht që kemi foto origjinale, por madje ne kemi dhe skicat e shtëpisë. Natyrisht jemi të gatshëm të ndihmojmë që kjo shtëpi të rindërtohet pikërisht aty ku ka qenë, me qëllim që të ngrihet në kultin që i takon, vendi ku u ngrit flamuri i shtetit Shqiptar dhe selia ku mori vendimet qeveria e parë shqiptare.
Ku jetojnë pasardhësit e Ismail Qemalit, tanimë?
Darling Vlora: – Një pjesë janë në Tiranë, por ka me banim edhe në Itali, Francë e Angli.
***
Pema gjenealogjike e familjes Vlora
1.Ismail Qemal bej Vlora.
(Vlorë 24 janar 1844-Perugia (Itali) 24 janar 1919).
Fëmijët:
2.Mahmud bej Vlora,(1871-1920)
Që në moshë të re ishte nëpunës i lartë në Ministrinë e Drejtësisë turke. U internua disa herë për “veprimtari antishtetërore”. U lirua nga internimi pas fitores së Revolucionit të Xhonturqve. Më pas u vendos në Nicë të Francës, ku u martua me shtetasen franceze Alice Escoffier, me të cilën pati tre fëmijë. Vdiq në Vlorë më 1920.
Fëmijë:
a-Aleksandër Galip Vlora,(1914-2001)
Pas vdekjes së të atit u largua nga Shqipëria. Përfundoi studimet në Bari, e u vendos përfundimisht në këtë qytet, ku punoi si profesor gjeografie në Universitet. Martuar me shtetasen italiane Fattizza Vita Maria. Dy fëmijë:
= Nedim Vlora, (1943) – Profesor gjeografie në Universitetin e Barit. Ai ka një djalë: Aleksandër Vlora, lindur në Bari(Itali), më 1967
=Vitoria Vlora:
b-Suzan Vlora,(1915-1988)
c-Blanche Vlora,(1917)
3.Tahir bej Vlora, (1875-1932)
Kreu shkollën e marinës, ishte Anëtar i Këshillit të Shtetit në Perandorinë Turke. Pas arratisjes së Ismail Qemalit nga Turqia (1900), u internua në Tripoli, deri në fitoren e Xhonturqve. Më 1919 u vendos përfundimisht në Shqipëri. Vitet e fundit të jetës, duke qenë kundërshtar i Monarkisë zogiste, i kaloi në Francë ku, më 10.06.1932, u gjet i vrarë në banesën e tij. Shtypi shqiptar i asaj kohe, pa komente, ka shkruar se kishte vrarë veten. Eshtrat e tij ndodhen në varrezat franceze “Thaise” ku, më vonë, u varros edhe Ahmet Zogu. Nuk u martua. Pa fëmijë.
4.Myvedet h. Vlora, (1873-1952) -vajzë
U martua me kolonelin Vehap bej, djalë i ushtarakut të njohur turk Serdar Ekrem Abdulkerim Nadir pasha, me të cilin pati tre fëmijë:
a-Mustafa Reshid. Ka vdekur para viteve 1940.
b-Belkis. Martuar me ushtarakun Halit bej Zarshati, me të cilin pati një vajzë, Nermin V.Falaschi. Ka vdekur më 1979, në Bogota (Kolombi).
c-Hatice Sara. Martuar me kap.Selahedin Blloshmi, i cili kishte mbaruar studimet në Akademinë Ushtarake franceze të Sent Sirit. Pas vdekjes së tij u martua me një oficer anglez, i cili ishte në Shqipëri në misionin anglo-amerikan, gjatë Luftës II Botërore. U larguan në Angli, duke i shpëtuar kështu një persekutimi politik, pasi pas largimit të saj, Sigurimi i Shtetit Shqiptar e konsideroj si “agjente”. Ka vdekur para viteve 1990, në Londër.
5.Alije h.Vlora,(xxxx-1954) -vajzë
U martua me konsullin turk Mehmet Koxhameni, i biri i Subhi Pashait, ish-Ministër i njohur i Financave në Perandorinë Turke. Kishte tre vajza:
a-Rana. Ka vdekur në moshë të re, para viteve 1930.
b-Samije. Martuar, për herë të parë me një shtetas gjerman, me të cilin pati dy fëmijë. Më vonë u martua me gjeneral Mirdashin (austriak), pushkatuar me 17 intelektualët e dënuar në Gjyqi Special(1945). Më pas mundi të largohej në Gjermani, tek fëmijët, ku vdiq rreth vitit 1984.
c-Mihrie. Martuar me diplomatin e shquar Xhemal Frashëri, nga familja patriotike e vëllezërve Frashëri, i cili u dënua nga regjimi komunist, dënim që e vuajti në burgun e Burrelit. Ka vdekur në Tiranë, rreth vitit 1984.
6.Ylvije h.Vlora,(xxxx-1934) -vajzë
U martua me gjeneralin e shquar turk Ahmet Hamdi Zarshati, i cili kishte kryer Akademinë Ushtarake gjermane në Potsdam. Kishte tre fëmijë:
a-Sinan. Ka vdekur në Tiranë, në vitin 1965.
b-Adnan. Ka vdekur në Tiranë, në vitin 1996.
c-Suzana. Ka vdekur në Tiranë, në vitin 1981.
7.Et’hem bej Vlora,(1885-1937)
Që nga viti 1900 e shoqëroi të atin kudo. Zhvilloi një aktivitet të gjerë si gjatë Shpalljes së Pavarësisë ashtu edhe më pas. Së bashku me të vëllanë, Qazim, mori pjesë në Delegacionin e kryesuar nga Ismail Qemali në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, më 1913. Më 1919, pas vdekjes së Ismail Qemalit, u zgjodh, midis emrave të dëgjuar si Hasan Prishtina, Aqif Pashë Elbasani, Mithat Frashëri, Pandeli Cale, etj, përfaqësues i shqiptarëve të Amerikës, në Konferencën e Paqes, në Paris, më 1919. Vdiq më 7 maj 1937, në Tiranë. U martua me Ismte Ohri (Toptani), me të cilën nuk pati fëmijë.
8.Xhevdet bej Vlora,(1888-1910)
Vdiq i ri, nga turbekulozi. Nuk u martua. Pa fëmijë.
9.Qazim bej Vlora, (1893-1953)
Qëndroi gjithmonë pranë të atit. Në vitet 1910-1912 zhvilloi aktivitet të gjerë për furnizimin e kryengritësve shqiptarë me armë. Më 1913 shoqëroi të atin në Londër, në Konferencën e Paqes. U martua me Behije Ohri. Pa fëmijë.
10.Qamil bej Vlora, (1895-1950)
Dy djem:
a-Ismail Vlora, (1920-1990) Ka pesë fëmijë:
= Kleoniqi Vlora, – lindur në Tiranë, 1959. Martuar me Bujar Jaupllari (Sevrani). Vendosur në Firenze (Itali).
= Ariana Vlora, – lindur në Tiranë, më 1961. Martuar me Valdet Shkurti. Jetojnë në Tiranë (Shqipëri).
= Qamil Vlora, – lindur në Tiranë, më 1964. Martuar me Ornela Pema, vajzë e Hasan Pemës. Larguar nga Shqipëria më 1990. Jetojnë në Barzanb(LC), Itali. Kanë dy djem:
…Igli Vlora, lindur në Leço (Itali), më 22.11.1992.
…Braian Vlora, lindur në Leço (Itali), më 8.04.1994.
=Elvinda Vlora, – lindur në Tiranë, më 1965. Martuar me Henrik Krasenski. Larguar nga Shqipëria më 1998. Jetojnë në Modena (Itali).
=Darling Vlora, – Një djalë: Iv (Ismail Vlora), lindur në Tiranë më 14.09.1997.
b-Xhevdet Vlora, (1922-1993) Ka dy fëmijë:
= Ada Vlora, lindur në Tiranë, më 1965. Jeton në Bologna (Itali).
= Qemal Vlora, lindur në Tiranë, më 1966. Jeton në Tiranë.