Mërgim Mavraj ka marrë një dënim mjaft të ashpër nga trajneri i Hamburgut, Christian Titz, ai do të vazhdojë të stërvitet me ekipin e të rinjve. Sikur të mos mjaftonte një ndeshje për tu harruar me kombëtaren Shqiptare, Mavraj sapo kthehet tek ekipi i tij i është komunikuar vendimi i marrë nga trajneri.
Edhe pse për Hamburgun deri tani është një sezon i dështuar në Bundesligë, trajneri ka vendosur që të veprojë me dorë të hekur ndaj lojtarëve që shkelin rregullat dhe disiplinën në ekip. Më parë, skuadra e Bundesligës ka dënuar edhe brazilianin Walace Souza Silva, për arsye disiplinore. Mesfushori përballet me penalitete për një udhëtim të paautorizuar në Milano.
31-vjeçari do të detyrohet tani të stërvitet me ekipin e të rinjve, një ndëshkim i drejtpërdrejtë nga trajneri Christian Titz, që po vepron me dorë të hekurt për shkak të gjendjes kritike ku ndodhet skuadra. Tekniku i Hamburgut ka urdhëruar që shqiptari të stërvitet me ekipin e dytë për një periudhë të pacaktuar.
“Stafi teknik ka vendosur ta largojë Mërgim Mavrajn nga ekipi i parë për motive sportive”, tha drejtori sportiv, Bernhard Peters. Mavraj është aktivizuar në 17 ndeshje të Bundesligës këtë sezon, me Hamburgun që renditet i fundit me 18 pikë, 7 më pak se vendi i 15 që i shpëton rënies.