Eurojust dhe Europol kanë goditur një grup trafikantësh të artefakteve, ku janë arrestuar 35 anëtarë të tij, që kishin qendrën në Bullgari. Operacioni u zhvillua në gjashtë shtete, përfshirë edhe Shqipërinë, ku veprimet u kryen nga Prokuroria e Posaçme.
Në një konferencë për shtyp, autoritetet përgjegjëse njoftuan se janë kryer 131 kontrolle, ku u gjetën mijëra objekte me vlerë kulturore, si dhe 50 armë antike.
Gjatë operacionit u sekuestruan automjete, kasaforta, bizhuteri, vazo, kupa nga qytetërimet greko-romake dhe shumë objekte të tjera me vlerë.
Zëvendësprokurori i Sofjes, Angel Kanev, tha se rrjeti kriminal kishte vepruar për më shumë se 16 vjet në Evropën Perëndimore, Ballkan, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.
Europol bëri të ditur se hetimet nisën pas një bastisjeje të vitit 2020 në një banesë në Bullgari, ku policia kishte gjetur rreth 7,000 artefakte me vlerë të madhe historike dhe monetare.















