Shqipëria u mund një natë më parë nga ekipi më i mirë në botë, Spanja. Nuk është ndonjë dramë e madhe rezultati 3-0 pasi me këtë rezultat iberikët mposhtën edhe Italinë 4 herë kampione Bote. Por çfarë shkoi keq në këtë ndeshje? Ndoshta formacioni i zgjedhur nga Panucci nuk ishte ideali për tu përballur me galaktikat e Lpetegui. Tekniku italian zgjodhi të hidhte në fushë djemtë e rinj, duke lënë në stol lojtarët më me eksperiencë që vinin edhe nga një formë e mirë. Mbetet për tu vlerësuar paraqitja që bëri në pjesën e dytë kombëtarja Shqiptare, ku shkëlqeu paraqitja e Latifit dhe Sadikut, të cilët iu afruan edhe golit.
Është e vështirë të vendosësh notat në këtë ndeshje, ku gjithçka shkoi keq dhe ku çdokush do të ngrihej i trembur nga ëndërrimet para ndeshjes. Ndoshta ëndërruam shumë!
Berisha 6 – Mban nderin e Shqipërisë për të mos u turpëruar më shumë pasi shmangu një disfatë në shifra të thella, merita është edhe e tija, pasi bëri disa ndërhyrje që ishin gola të sigurt.
Hysaj 5 – Dështim. Pritej më shumë nga ai ose të paktën të shfaqte formën së tij më të mirë si te Napoli. Sulmuesi spanjoll Rodrigo në disa raste e nxori jashtë loje.
Veseli 5 – Nuk është akoma në stadin që të jetë titullar dhe të mbaj në peshë mbrojtjen. Gabon shumë në vendosje dhe nuk jep aspak siguri. Ndoshta 90 minuta janë shumë për të.
Ajeti 5 –Jashtë forme. Në pjesën e parë është komplet jashtë loje dhe qendër mbrojtja me të në krye duket si një “autostradë” për sulmuesit e Spanjës. Në pjesën e dytë përmirëson pak.
Memolla 5 – Dobët, pothuajse krahu i majtë nuk ekzistonte fare. Nuk është lojtari i duhur për të zëvendësuar Agollin. (46′ Agolli 5.5), me futjen e tij krahu i majtë fillon të aktivizohet në lojë edhe pse gjithçka kishte mbaruar tashmë. Duhej të ishte titullar, saktësia dhe qetësia e tij do ishte një armë plus.
Kaçe 5 – Pas rikthimit në kombëtare, shfaq një formë të dobët dhe nervozizëm në lojë. Nuk dha asgjë që mund të kujtosh nga ai në këtë ndeshje.
Memushaj 5 – Për një lojtar si Memushaj që luan në Serie A, pritej më shumë. Luan para mbrojtjes por humbet shumë topa, madje dhe në daljet në sulm shpesh herë dukej “mediokër” në gjuajtje drejt portës spanjolle.
Grezda 6 – Ndoshta nuk kishte mbështetjen e duhur por ishte ai që kishte shansin më të mirë në pjesën e parë. Në pjesën e dytë, i rrëmben me zgjuarsi një top Pique dhe i jep një asist Llullakut. (66′ Latifi 6.5), Me futjen e tij i jep gjallëri lojës tonë, është një kërcënim për mbrojtjen e spanjollëve. Godet bukur një top mes tre mbrojtësve spanjoll por De Gea e ndal, ky ishte fërkimi i parë i doreza për gardianin spanjoll. Për aq minuta sa luajti, Latifi e justifikoi veten. Sa mirë do ishte sikur të ishte titullar!
Xhaka 5.5 – Në mesfushë duhet të përballojë lojtarë të klasit botërorë, siç janë Isko, Silva dhe Tiago Alcantara. Kur dëgjon këto emra e justifikon pak lojën e tij, nuk mund të bëjë më tepër. Kuptohet qartë që Xhaka vuan shumë në fazën ofensive dhe defensive dhe nuk mund të dhurojë më shumë nga repertori i tij, aq janë limitet e tij.
Llullaku 5- Ishte një surprizë aktivizimi i tij si titullar. Ka një mundësi shumë të mirë, por gjen transversën në minutën e 25-të. Grezda i jep një top të artë në pjesën e dytë, duhej vetëm ta shtynte në rrjetë, por dështon. Nuk mund të luajë i vetëm në sulm dhe pa modesti nuk është lojtari që mund të mbajë mbi shpatulla sulmin e kombëtares sonë.
Balliu 5 – Vështirë ta kujtosh dhe ta mbash mend se luajti 45 minuta. Dukej sikur ishte hija e Hysajt. Asgjë pozitive për t’u mbajtur mend nga ai. (46′ – Sadiku 6.5) Duhej të ishte ai epiqendra e sulmit tonë, u ndje shumë mungesa e tij në pjesën e parë. Sapo futet në fushë gjallëron lojën dhe godet shtyllën, thjesht është i pafat. Di të luajë në zonë dhe jashtë saj, për kombëtaren tonë është alternativa më e mirë për sulmin.
Panuçi 5 –Kishte zgjedhur ndeshjen dhe ekipin e gabuar për të bërë eksperimente, në mendjen e tij ka patur shumë mëdyshje, aq sa e tregoi me formacionin që hodhi në fushë. Në pjesën e dytë u korrigjua, por me një kundërshtar si Spanja është e vështirë të bësh më shumë. Ndoshta mund të justifikohet me faktin se më mirë të pësosh 3 gola në pjesë të parë, por të tentosh të luash futboll se sa të mos shkosh asnjëherë në portë si De Biasi por të mundesh 2-0…Loja tregoi se është akoma larg De Biasit…Të krahasosh De Biasin me Panuçin, të paktën në këto nivele, është mëkat! Uroj të dal i gabuar sa më shpejt! Ngelet për t’u parë me Italinë…