Edi Paloka, i ftuar në një emision televiziv ka folur në lidhje me tensionet në seancën e fundit të Kuvendit, ku Sekretari i Përgjithshëm i PD Flamur Noka ka tentuar të godasë me një shishe uji ministrin Taulant Balla.
Paloka u shpreh se gjithçka ka qenë e qëllimshme dhe deputetët e PD janë provokuar.
Ai ka shtuar madje se nuk ishte i pranishëm në sallë, por se në rast se do të ishte ai personi i provokuar, mund të kishte vepruar edhe më keq se kolegu i tij Noka.
“Nuk isha i pranishëm në sallë por shkova menjëherë pas incidentit. Kishte një provokim nga ana e Ballës. Publiku sheh vetëm reagimet tona jo ato që e provokon reagimin. Edhe të enjten, Berisha po kërkonte nga ne të mbanim qetësi, më thanë që Noka është provokuar, Balla paska sharë i ka quajtur budallenj dhe kjo ka provokuar sjelljen e Nokës dhe të tjerëve. Pavarësisht shkallës së reagimit.
Është kërkuar për procedurë fjala nga deputetët tanë dhe nuk u është dhënë.
Gjithçka ka ndodhur qëllimisht që të kishte një incidente, sepse ne na interesonte që në atë seancë të diskutohej.
Por njerëzit janë karaktere të ndryshme, nëse do të më thoshte mua budalla mund të kisha reaguar edhe më keq”, tha ai.