“Në Shënjestër”’ sjell këtë mbrëmje detajet dhe anët e panjohura të vrasjes së Endri Mustafës. Ibrahim Lici nuk u gjet në banesë, pas kërkimit që policia i bëri si person i dyshuar për vrasjen e Endri Mustafës. Avokati i tij pretendoi se ditën e ekzekutimit të Mustafës, ai ishte në Tiranë dhe jo në Shkodër.
Pala mbrojtëse kërkoi nga grupi hetues marrjen e pamjeve filmike të një pallati tek Fusha e Aviacionit në Tiranë, të cilat sipas tij tregonin se ditën e krimit, Lici ishte aty.
Dosja Hetimore
Për të verifikuar alibinë e ngritur nga avokati i Ibrahim Licit, grupi hetues shkoi te adresa e treguar, kompleksi ‘IBN’, rruga ‘Artan Lenja’, tek Fusha e Aviacionit, Tiranë. Në vendrojen e këtij kompleksi u kqyr një DVR me pamje filmike të kamerave të tij, nga ku rezultoi se periudha e regjistruar ishte nga data 31 Maj 2021 deri më datë 9 Qershor 2021. Pra, pamjet filmike nga data 12 Maj 2021 deri më 16 Maj 2021 nuk ishin të ruajtura. Po kështu nga mbrojësi i shtetasit Ibrahim Lici u pretendua se pamjet filmike të ditës së vrasjes së Endri Mustafës janë ruajtur në një pajisje tjetër, për shkak të frikës se në DVR-në origjinale do të fshiheshin. U sekuestrua kjo pajisje, ku nga kqyrja e saj, u konstatuan pamje filmike vetëm nga data 24 Maj 2021, ora 14:36 deri më datë 31 Maj 2021, ora 18:32. Pra, nuk u konstatuan pamje filmike për periudhën 12 Maj 2021-16 Maj 2021.
Por familja Lici, nuk u ndal këtu në krijimin e një alibie të qëndrueshme ndaj organit hetues. Këtë herë ata i vendosën në dispozicion grupit hetues, të tjera pamje filmike dhe foto, që sipas tyre tregonin Ibrahim Licin, ditën kur ai mendohet se kreu vrasjen e Endri Mustafës.
Dosja Hetimore
Nga ana e avokatit të shtetasit Ibrahim Lici, u dorëzuan disa pamje filmike të ruajtura në USB. Ndërsa nga nëna e tij Lauretë Lici, u dorëzuan disa fotografi të djalit të saj, të cilat, të gjtha së bashku u dërguan për ekspertim. Nga ekspertimi del se – Personi/at që shfaqen në regjistrimet video të realizuara nga telekamerat e brendshme dhe të jashtme të sigurisë në datat 13 Maj 2021 dhe 15 Maj 2021, të një subjekti privat dhe të ruajtura në dy pajisje të jashtme USB, si dhe në dy Hard-Disqe të jashtme nuk pasqyrojnë karakteristika morfologjike të fizionomisë së fytyrës me vlera krahasuese dhe identifikuese; Krahasimi i mënyrës së ecjes/lëvizjes së personit/ave që shfaqen në regjistrimet video nuk realizohet në IPSH, pasi nuk ka baza metodike shkencore kriminalistike për kryerjen e këtij lloj ekspertimi krahasues.
Një nga pretendimet e Ibrahimit Licit, ishte edhe fakti se ditën kur ndodhi vrasja, ai kishte komunikime me të fejuarën e tij.
Dosja Hetimore
Pala mbrojtëse pretendon se më datë 15 Maj 2021, shtetasi Ibrahimi Lici ka patur komunikime përmes rrjeteve sociale me të dashurën e tij. Ajo pretendon se më datë 15 Maj 2021, nga ora 10:00 deri në orën 22:00, ka folur me Ibrahimin në Snapchat, ku bisedat fshihen automatikisht. Në orën 23:10, ka patur komunikim video me të në ëhatsapp, për 2 minuta e 13 sekonda. Në orën 23:13, ka komunikuar përsëri me të me video, për rreth 1 orë e 57 minuta. Ajo shtoi se nuk e ka njohur shtetasin Endri Mustafa, por kur ka qenë duke komunikuar me video me Ibrahimin, në një moment, ka ndërhyrë Amina, motra e tij, e cila i ka thënë se kishte ardhur në shtëpi nëna e Endrit, e cila u ka thënë se Endri nuk gjendet, diçka e tillë.
Kjo ka qenë në orën 04:46 të datës 16 Maj 2021, kohë kur sipas saj, Ibrahimi ka qenë në Tiranë.
Grupi hetues nuk gjeti asgjë me interes nga ekspertimi i telefonit të fejuarës së Ibrahim Licit. Por pas sigurimit të tabulateve të numrit të telefonit që përdorte Ibrahim Lici, numër që ishte i regjistruar në emër të një personi tjetër, u arrit të rrëzohej alibia e tij se më datë 15 Maj 2021, ai ishte në një pallat pranë Fushës së Aviacionit në Tiranë.
Por nëna e Endri Mustafës, pavarësisht bindjes së grupit hetues që i qëndroi versionit të rrëfimit të Ergys Maljas, se djali i saj u vra nga Ibrahim Lici, tha se vrasja ishte kryer për llogari të Astmer Bilalit. Dhe se bashkë me Ergysin, kishin qenë edhe vëllezërit Edison dhe Ergdys Arrazi.
Dëshmia e Fahrije Alija:
Lidhur me autorët e vrasjes së djalit tim unë jam e bindur se përveç Ergys Maljas, i cili e ka nxjerrë në pritë, në vrasje ka marrë pjesë edhe Coli, pra shtetasi Edison Arrazi, si dhe vëllai i tij Ergdys Arrazi, të cilët e kanë vrarë për llogari të shtetasit Astmer Bilali. Kjo pasi Ergys Malja ka patur shumë hyrje-dalje tek familja Bilali, e cila jeton shumë pranë tyre. Nisur nga kjo lidhje e ngushtë, unë mendoj se veprimet për ta nxjerrë në pritë Endrin kanë qenë të porositura vetëm nga Astmer Bilali, i cili njihet si një person i rrezikshëm në Kiras.
Por nëna e Endri Mustafës, nuk dha ndonjë mendim të qenësishëm pse ajo mendonte që vrasësi i të birit ishte Astmer Bilali, dhe jo Ibrahim Lici, siç tregoi për hetuesit, Ergys Malja. Ajo vetëm tregoi që Endri jepte fajde, në fenomen i përhapur ky në Shkodër. Madje dhe faktin që djali i saj i kishte dhënë borxh edhe familjes Bilali, sa herë ata kishin pasur nevojë.
Dëshmia e Fahrije Alija:
Endri është rritur thuajse jetim, pasi unë u divorcova e re. Ai ka punuar që 18 vjeç dhe është munduar gjithmonë të bëjë mirë për familjen dhe shoqërinë. Së fundmi, ai merrej me fajde. U jepte para borxh njerëzve dhe kështu siguronte të ardhura. Ai ka patur shumë shokë dhe njohje, si vëllezërit Edison dhe Ergdys Arrazi. Në dijeninë time, ai nuk ka patur konflikt me njeri. Me Ergys Malja, nuk ka patur ndonjë afrimitet, pasi ai ka qenë sa gjysma e moshës së tij.
Në lidhje me fisin Bilali, nëna e Endri Mustafës, tregoi se ata vinin shpesh në familjen e tyre, për të parë se në anën e kujt ishin ata në konfliktin e përgjakur që ata kishin me pjesëtarë të fisit Lici.
Dëshmia e Fahrije Alija:
Endri ka patur marrëdhënie të mira si me familjen Lici, ashtu edhe me ato Bilali dhe Bajri. Nuk ka patur asnjë afrimitet më shumë me njërin se me tjetrin, duke qenë se i dinte problemet mes tyre. Fillimisht, ai ka qenë shokë me të gjithë djemtë e këtyre familjeve, pasi shtëpitë i kanë pranë njëra-tjetrës. Mbaj mend që pasi filluan problemet mes familjes Lici dhe Bilali, babai i Astmer Bilalit, Tit Bilali, vinte më shpesh tek shtëpia jonë, për të testuar situatën dhe për të kuptuar se cilin krah mbante Endri. Endri gjithmonë e ka ndihmuar me para, të cilat ia jepte, pasi ai kishte nusen sëmurë në Francë dhe shkonte për ta vizituar. Pothuajse të gjithë biletat e avionit ia paguante Endri. Po kështu, edhe me Astmer Bilalin ka patur marrëdhënie të mira dhe vazhdimisht i jepte atij para, pasi ia kërkonte. Duke qenë se ata ishin mësuar duke marrë para nga Endri, erdhi një moment që kërkonin më shumë dhe dërgonin fjalë sikur Endri po mbante anën e Licve.
Është kjo arsyeja që nëna e Endri Mustafës, mendon se vrasjen e të birit e organizoi Astmer Bilali, krim të cilin e lidh për çështje inati dhe xhelozie.
Dëshmia e Fahrije Alija:
Lidhur me familjen Lici, dy-tre muaj përpara vrasjes, nga muaji shkurt 2021, mbaj mend që Ibrahim Lici e ka marrë në telefon Endrin dhe i ka thënë se atë do ta merrte edhe xhaxhai i tij, për t’i kërkuar që të hiqte kamerat që kishte vendosur në shtëpi, duke qenë se ato kishin fushëpamje tek shtëpia e tyre dhe kishin frikë se mos familja Bilali kishte akses përmes ndonjë kodi. Gjithsesi, Ibrahimi i tha se ata e dinin se nga Endri nuk kishin ndonjë problem dhe që të mos i hiqte kamerat, pasi nuk kishin pajisje ku pamjet filmike të ruheshin, por të kishte kujdes kodin.
Të njëjtën gjë nëna e Endri Mustafës, tha edhe për fisin Bajri.
Që duket se ishin aleat me Bilalët, kundër fisit Lici.
Dëshmia e Fahrije Alija:
Edhe me familjen Bajri, Endri nuk ka patur ndonjë afrimitet më shumë se me të tjerët apo ndonjë mosmarrëveshje. Edhe ndonjë fjalë që vinte në emër të tyre për të parë se ku pozicionohej Endri në konfliktet mes tyre, dërgohej nga Asmer Bilali dhe jo nga Bajrët.
Grupi hetues, pyeti si person që mund të kishte dijeni për ngjarjen edhe shtetasin Edison Arrazi, i cili akuzohej direkt nga nëna e Endri Mustafës, si vrasës i të birit.
Dosja Hetimore
Shtetasi Edison Arrazi, që akuzohet nga shtetasja Fahrije Alija, se ka qenë ai që shoqëruar djalin e saj Endri Mustafa ditën e ngjarjes për në zonën e Livadheve, si dhe ka marrë pjesë në vrasjen e tij, për llogari të shtetasit Astmer Bilali, i ka mohuar këto akuza. i sqaron se nuk e njeh shtetasin Ergys Malja, si dhe natën e ngjarjes, pas orës 22:00, ai ka qenë në shtëpinë e tij. Ai ka sqaruar se me Endri Mustafën ka patur njohje rreth 6 muaj përpara ngjarjes, kur Endri ka blerë një tokë në zonën e Bypass-it, pranë një sipërfaqeje toke të tij. Duke qenë se në tokën e tij ka patur të hedhura inerte, në biseda e sipër, Endri i ka kërkuar t’i hidhte inerte edhe në tokën e tij, për ta ngritur në nivelin e rrugës. Pra, njohja dhe lidhja e tij me Endrin, ka qenë kryesisht kur ai shkonte tek toka.
Edison Arrazi doli vetëm pas disa kohësh nga qelia. Ai u cilësua nga drejtësia i pastër në lidhje me vrasjen e Endri Mustafës. Ndërkohë që grupi hetues krijoi besimin e arsyeshëm se organizator dhe vrasës i Mustafës, ishte Ibrahim Lici, i cili pati si bashkëpunëtor në këtë vrasje, Ergys Maljan. Kjo e konfirmuar sipas grupit hetues edhe nga provat biologjike të gjetura në vendngjarje.
Dosja Hetimore
Nga akti i ekspertimit biologjik-krahasues nr. 6765, datë 12 Korrik 2021, u konkludua se pas vlerësimit të të dhënave, akteve dhe provave të grumbulluara, ka rezultuar se shtetasit Ibrahim Lici dhe Ergys Malja kanë kryer në bashkëpunim me njëri-tjetrin, veprën penale të vrasjes me paramendim, me viktimë shtetasin Endri Mustafa.
Endri Mustafa, kishte llogari të hapura me drejtësinë, pasi ai ishte shpallur në kërkim, për krijim të skemave të paligjshme të fajdeve, apo ndryshe dhënies së parave në këmbim të normave të larta të interesit. Emri i tij doli në skenë pas rrëfimit të ish-prefektit të Shkodrës, Paulin Radovani. Ky i fundit përpara oficerëve të policisë tregoi se më 25 Janar 2019, ai ishte takuar në ambientet e punishtes së Endri Mustafës. Bisedë që ishte zhvilluar me tone të nxehta. Kjo pasi djemtë e Radovanit, i kishin marrë para me fajde Endri Mustafës dhe nuk ia kishin kthyer.
Për këtë arsye ai kishte thirrur në takim babain e tyre, të cilin edhe e kishte kërcënuar. Gjatë përgjimeve që u kryen në vazhdim doli se Endri Mustafa, u jepte shuma të konsiderueshme parash me përqindje, personave të ndryshëm.
Ku shpesh ai edhe i kanoste këta të fundit se nuk i kthenin kthenin shumën e parave të marra hua, do tu sekuestronte pasuritë. Gjë të cilën me disa prej tyre, ia kishte dalë qëllimit.
Pra ishte e qartë se e gjithë pasuria e Endri Mustafës ishte vënë nga aktiviteti i paligjshëm i fajdeve. Edhe kërcënimi që ai u bënte klientëve të tij, të cilët pasi i fuste në borxhe, të cilat ata më pas nuk kishin mundësi të shlyenin për shkak të interesave të larta, ai u merrte në këmbim pasuritë që ata kishin. Sekuestrim të cilin do të ishte e pamundur që ai ta kryente i vetëm dhe pa ndihmën e ‘Të fortëve’ në Shkodër. Por a u bënë fajdet shkaktare të vrasjes së Endri Mustafës, apo ajo që ia mori jetën ishte lufta tashmë e shpallur midis familjes Lici në njërën anë dhe asaj Bilali në krahun tjetër?
Dhe pse duhet të ishte viktimë Endri Mustafa në këtë luftë? Por cila është përplasja e fisit Lici në njërën anë dhe atij Bilali në aleancë me Bajrat, në krahun tjetër, në Shkodër?
Sipas rrjedhës së ngjarjeve kriminale që tronditën qytetin në veri të Shqipërisë, përplasjet e para të përgjakshme midis dy fiseve filluan në vitin 2018.
Më 13 janar të këtij, viti, një atentat me eksploziv, në lagjen ‘Rus’ të qytetit, la të plagosur 7 persona. Objektivi i këtij atentati ishte, Lulzim Kulla, i cili, edhe ky, mbeti i plagosur.
Ky atentat shpejt u pasua nga një tjetër, po kaq i rëndë. Ai i ekzekutimit të ish-oficerit të policisë, Boran Bërçama dhe bashkëjetueses së tij, Silvana Ndoci. Ata u gjetën të vrarë në makinën e tyre, mëngjesin e datës 15 korrik 2018. Vrasje e cila edhe sot është ende e pazbardhur. Por pa u mbushur muaji, një tjetër atentat i rëndë, tronditi këtë herë familjen Lici në Shkodër.
Viktima e radhës do të ishte Fatbardh Lici. Ai u ekzekutua më 10 gusht 2018, ndërsa po pinte kafenë e mëngjesit në lagjen ‘Kiras’ në Shkodër. Lici ishte kunati i Lulzim Kullës, objektivit të atentatit të dështuar me eksploziv të ndodhur në fillim të vitit 2018, në Shkodër.
Por ndërsa policia po merrej ende me hetimin e vrasjes së Fatbardh Licit, një zhdukje e dyfishtë e pazakontë ndodhi këtë herë në qytet. Gëzim Hysaj dhe Agron Mollaj, dajë dhe nip, humbën pa gjurmë, në mesin e muajit gusht.
Dhe që nga ajo kohë asgjë nuk dihet cili ishte fati i tyre. Por kur dukej se dora vrasëse do të ndalte hovin, viti 2018 në Shkodër do të vazhdonte të tronditej nga të tjerë atentate mafioze, që duket se kishin lidhje tashmë me luftën e shpallur midis fisit Lici dhe Bilali. Viktima e radhës do të ishte Arjan Ferracaku, miku i ngushtë i Astmer Bilalit, i cili u ekzekutua më 1 shtator 2018.
Ferracaku, i cili u qëllua për vdekje ndërsa kishte dalë të kalëronte në breg të Liqenit të Shkodrës, në fshatin Dobraç. Policia në atë kohë dyshoi se objektivi i vërtetë i atentatit nuk ishte ai, por miku i tij Astmer Bilali me të cilin ndanin edhe pasionin e kalërimit. Dyshimi i policisë u forcua edhe më shumë për shkak të ngjashmërisë fizike midis Bilalit dhe Ferracakut dhe kuajve pothuaj të njëjtë. Çka duket se mund të kenë ngatërruar ekzekutuesit, duke qëlluar këtë të fundit.
Dy muaj më pas, më 14 nëntor 2018, një tjetër vrasje, do të trondiste sërish familjen Ferracaku. Viktima këtë herë do të ishte Fatos Ferracaku, një tregtar peshku në qytet, i cili u qëllua me një plumb në kokë në mes të ditës në lagjen ‘Rus’.
Ngjarje ku mbeti i plagosur rëndë edhe shtetasi Fatmir Mehja. Ekzekutim, që sipas policisë u krye nga dy persona me maska, që lëviznin hipur mbi një motor. Por ndërsa Shkodra e kishte humbur qetësinë, pas serive të gjata të vrasjeve dhe shpërthimeve, Astmer Bilali, ishte arrestuar ndërkohë më 6 shtator 2018, në kuadër të operacionit ‘OAZ’. Aksion policor i shtrirë në Tiranë, Shkodër, dhe Roterdam të Hollandës, që ishte ndërrmarrë në kuadër të aksionit ‘Forca e Ligjit’ që kishte për qëllim goditjen ndaj grupit të ‘Bajrave’ në Shkodër. Një prej grupeve më të fuqishme kriminale në këtë qytet, por me shtrirje edhe në Belgjikë, Hollandë dhe Spanjë. Ku në pranga ra edhe vetë Safet Bajri, apo ndryshe ‘Lordi’ Safet Bajri. Por ndërsa Astmer Bilali, ishte në pritje të gjykimit, një atentat i rëndë do të trondiste fort këtë herë familjen e tij të ngushtë.
Ishte data 30 mars 2019, kur një atentat mafioz u mori jetën në derën e shtëpisë, Astrit dhe Brahim Bilalit. Respektivisht, babai dhe xhaxhai i Astmer Bilalit. Të dy personazhe me reputacion në Shkodër, të njohur si kampionë në hipizëm.
Por që më parë, në vitin 2016, kishin qenë të ndaluar nga policia, për armëmbajtje pa leje. Pasi gjatë një kontrolli atë kohë, në banesën e Astrit Bilalit dhe tokën e Brahim Bilalit, policia gjeti dhe sekuestroi armë të shumta zjarri si edhe lëndë shpërthyese. Por vëllezërit Bilali nuk u çuan kurrë për gjykim, pasi municionet luftarake, i mori në ngarkim Astmer Bilali.
I cili u dënua më pas, me 6 muaj burgim, për armëmbajtje pa leje. Por vrasja e babait dhe xhaxhait të tij, duket se e theu fort shpirtërisht Astmer Bilalin. Dikur një kampion boksi, që premtonte shumë në këtë sport. I cili nga qelia ku ndodhej, postoi dedikime të shumta për të afërmit e tij të ekzekutuar. Çka duket se mund të kenë qenë edhe një mesazh për botën jashtë hekurave, që tani, duhet të ruheshin nga hakmarrja e tij.
Kjo vrasje, për policinë, kishte lidhje, as më pak dhe as më shumë me luftën tashmë të hapur midis dy bandave në qytet… atë midis ‘Bajrave’ në njërën anë dhe ‘Lici’ në krahun tjetër. Luftë që kishte prodhuar viktima të shumta. Sipas grupit hetues, ashtu si në skenarët e tjerë të ngjashëm, edhe këtë herë, makina e vrasësve të vëllezërve Bilali, u gjet fare pranë banesës së grupit rival. Aty ku më herët ishte gjetur i braktisur edhe motori që u përdor në vrasjen e Fatos Ferracakut.
Por Astmer Bilali, i cili më herët, u arrestua edhe për plagosjen në vitin 2017, të shtetasit Hermes Beqiri, në një nga lokalet e Shkodrës, është sot në kërkim edhe për një tjetër ngjarje të rëndë, si porositësi i vrasjes së Ismet Çekorjas. 56 vjeçari, i cili u qëllua për vdekje më 2 shtator 2022, vetëm pak metra larg pragut të banesës së tij, në lagjen ‘Guerrile’ në Shkodër.
Një nga lagjet e këtij qyteti, që ka qenë shpesh arenë e disa ekzekutimeve të bujshme. Por edhe vendstrehim i disa prej ‘Të fortëve’ të këtij qyteti. Çekorja që u qëllua për vdekje nga dy persona me skafandër, të hipur mbi një motor. Kronikë e një vrasje të paralajmëruar nga po ai vetë, në një dalje të tij mediatike. Djali i tij, Bajram Çekorja, akuzohej si qitës, në atentatin e dështuar që kishte ndodhur më 25 gusht të këtij viti në Shkodër ndaj Alban Bruçit. Ngjarje, për të cilën policia ka shpallur në kërkim edhe dy autorë të tjerë, konkretisht shtetasit Shkëlzen Çekorja dhe Tornato Fushaj, ky i fundit djali i biznesmenit dhe ish-presidentit të klubit Vllaznia, Valter Fushaj.
Tornato Fusha, thuhet se kishte krijuar një përplasje me Alban Bruçin, pasi dy vite më parë, Bruçi raportohet se e kishte plagosur me thikë të riun. Konflikt, që edhe pse në dukje dukej i mbyllur, duket se nuk rezultoi kështu, pasi plumbat e drejtuar ndaj Alban Bruçit, i cili qëndronte prej mëse një viti i ngujuar, treguan se gjaku nuk ishte falur.
Pavarësisht tentatitave për ti pajtuar palët, ndaj për këtë arsye, sipas dinamikës të ndërtuar nga grupi hetimor, mbrëmjen e atentatit, Tornato Fushaj dhe miku i tij Bajram Çekorja i zunë pritë Alban Bruçit, ndërsa ky i fundit po udhëtonte me makinën e tij tip ‘Audi’ drejt banesës së tij, ku edhe në këtë atentat, autorët përdorën një motor. Në lëvizje, u zbrazën 20 plumba, ndaj automjetit të 25 vjeçarit, Bruçi.
Por ajo që do t’i ndizte edhe njëherë, edhe më shumë gjakrat, thuhet se u bënë deklaratat e Ismet Çekorjas, babait të Bajram Çekorjas. Në një dalje publike për mediat, më datë 29 gusht, vetëm katër ditë para se të vritej, jo vetëm i doli në krah të birit, pas atentatit ndaj Alban Bruçit, por u shpreh se shteti dhe bandat i ishin qepur nga pas familjes së tij. Madje, ai foli edhe me emra konkretë.
Por vetëm dy javë më pas një tjetër ngjarje kriminale, pjesë e kësaj triologjie, ndodhi në Shkodër. Viktima këtë herë do të ishte 19 vjeçari, Erion Xhenje, i cili u qëllua vetëm pak metra larg vendit, ku më 1 shtator, u vra Ismet Çekorja. Xhenje, student i fizioterapisë, u qëllua për vdekjen mbrëmjen e 18 shtatorit 2022, ndërsa kishte dalë të shikonte ndeshjen, me shokët e tij, në një nga lokalet e lagjes.
Ai u qëllua nga një person me skafandër në kokë, që kishte mbërritur aty bashkë me një tjetër. Xhenje, u dyshua se mund të kishte shërbyer si vëzhgues për të ndjekur lëvizjet e Ismet Çekorjas, më qëllim sinjalizimin e vrasësve. Pistë e cila në fakt ra poshtë po nga policia, pasi këto dyshime nuk u provuan kurrë.Vrasje, që edhe këtë herë, ashtu si në krimet e tjera të ngjashme të ndodhura në qytetin verior, motori u gjet i djegur në fund të lagjes ‘Kiras’ në Shkodër.
Atje, ku më parë, ishte djegur dhe mjeti ‘Benz’ që u përdor në vrasjen e Naim Bajrit. Edhe ky një tregtar peshku, i cili u ekzekutua me 3 qershor 2022, në lagjen ‘Rus’, në qytetin verior të Shqipërisë.
Ai po pinte kafen e mëngjesit me punëtorin e tij, që mbeti i plagosur në këtë ngjarje, ndërsa policia mendon se vrasja e të riut Erion Xhenje, u krye në formë hakmarrje nga Bajram Çekorja, ndaj vëllezërve Shkëlzen dhe Sehat Xhenje, miqve të Astmer Bilalit, që dyshohet se ishin personat që vranë babain e tij Ismet Çekorja.