Policia e Tiranës ka bërë të mundur kapjen e një personi të shpallur në kërkim, i cili ishte dënuar për krime të rënda kundër personit, përfshirë vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje.
Operacioni, i koduar “END”, çoi në lokalizimin dhe kapjen e Klement Zguro (Kaçolli), 43 vjeç, banues në Tiranë, në rrugën “Mikel Maruli” të kryeqytetit.
Ky shtetas ishte dënuar nga Gjykata e Apelit të Korçës me 11 vite burg për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Sipas vendimit të gjykatës, ai ka mbetur për të vuajtur 8 vite e 11 muaj burgim.
Pas kapjes, Zguro iu dorëzua Drejtorisë së Policisë së Qarkut Korçë për veprime të mëtejshme procedurale.