Nga Taulant Kullolli*/ Rreth 31 vjet më parë do të vritej nga dora e zëvendësit të tij, por e orkestruar nga CIA dhe Franca, një nga figurat më popullore të kontinentit Afrikan të shekullit të njëzetë dhe Presidenti më i dashur nga populli i Burkina Faso, Thomas Sankara. President i një prej vendeve më të papërfillshme të botës, ai do të bëhej i njohur për qëndrimin e tij vizionarë ndaj barazisë sociale, për të drejtat e grave dhe për zhdukjen e punës së detyruar të fshatarëve në vendin e tij.
Me prejardhje nga një familje katolike, prindërit e tij e inkurajuan që të vogël që të vazhdonte mjekësinë por ai me karakterin e tij rebel dhe i përfshirë gjerësisht në ideologjinë anti-kolonialeu transferohet në moshën 19 vjeçare në Madagaskar, ku mori një formim ushtarak duke u bërë edhe pjesë në revoltat e viteve 1971-1972. Ne fund të vitit 1972 kthehet në vendin e tij dhe i bashkohet lëvizjes guerrilese të Burkina Faso dhe në vitin 1976 bëhet komandant i saj. Po në atë vit krijoi së bashku me Blaise Compaoré “Frontin e Oficerëve Komunist”. Arrestohet por njëkohësisht lirohet – nga popullariteti dhe mbështetja popullore që gëzonte – disa herë, dhe po ashtu i ofrohen detyra të rëndësishme si Sekretar i parë Shteti apo Kryeministër i Burkina Faso.
Suksesi i tij ishte i pashmangshëm. Qëndrimet e tij ndaj çështjeve më emergjente që shqetësonin popullin e tij i krijuan simpati të madhe ndaj tij. Drejtimi i vendit ishte vetëm një çështje kohe. Popullariteti i tij rritej në mënyrë eksponenciale. Në moshën 34-vjeçare zgjidhet President i Burkina Faso. Zgjedhja e tij si President i vendit do te ishte edhe hapi i pare drejt vdekjes së tij. Ai do të bëhej zëdhënës i problemeve të popullit të tij dhe do të kërkonte zgjedhjen e çështjeve që kishin shndërruar popullin e Burkina Faso një nga popujt më të varfër në mënyrë absolute të botës.
Por, nga çfarë rrezikohej jeta e tij? Kush e dëshironte vrasjen e tij, përderisa ishte aq i dashur nga qytetarët e tij?
Vendet afrikane, shquhen për pasuritë e tyre të jashtëzakonshme nëntokësore, dhe e tillë është edhe Burkina Faso ku ekzistojnë 3 minierat më të mëdha të botës për nxjerrjen e arit. Pushtimet koloniale, historikisht kanë bërë të mundur që pavarësinë politike të disa vendeve, të tilla si Burkina Faso ta shoqërojnë me kufizime ekonomike dhe sociale për banorët e tyre, duke vendosur dukshëm qeveri fantazma të cilat janë mandatarë të ish-vendeve koloniale. Kjo, e përkthyer në terma praktikë do të thotë kolonializëm i ri – e thënë me termat e historianit Edëard Said. Pikërisht, ky ishte edhe kontrasti kryesorë që shoqëroi jetën politike të Thomas Sankara. Aktiviteti i tij politik për zhvillimin e popullit të tij shkonte në kontrast të drejtpërdrejtë ndaj Francës e cila komandonte ekonomikisht vendin dhe me rendin e ri ekonomik që komandohej nga multinacionalet anglo-amerikane që janë edhe shfrytëzuesit kryesorë të pasurive ekomomike nëntokësore të vendit.
Popullariteti i tij u shtua nga aksionet e tij, ku vlen të përmenden ulja e shpenzimeve për administratën publike, lufta ndaj korrupsionit, zhdukja e privilegjeve që gëzonin politikanët dhe ushtarakët, përmirësimi i gjendjes sociale të femrave dhe ndërmarrja e një fushatë të gjerë sensibilizuese – e para në kontinentin afrikan – në luftën kundër Sidë_s. E famshme është politika e tij për shitjen e automjeteve Mercedes Benz të admnistratës së tij dhe zëvendësimi i tyre me ekonomiket Renault.
Zhvillimi i vendit kishte nevojë për burime financiare, një tjetër temë e mprehtë e qeverisjes së tij dhe temë konstasti me vendet e huaja. Administrata e tij filloi të mbështesë njësit e vogla të prodhimit të brendshëm industriale dhe bujqësore dhe në vitet e paratë qeverisjes së tij vendin njohu hapjet e paratë shkëmbimeve ekonomike që ishin inekzistente deri në vitet 80. Sankara, realizoi një politikë ekonomike e cila ndryshoi rrënjësisht kursin e saj. Ai u përpoq vazhdimisht të ulë çmimet e produkteve të importit dhe te rritin çmimet e produkteve te eksportit. Produktet ushqimore (që ishin të rezervuara vetëm për klasën e litare) të cilat ishin të pa-arritshme për shtresat e varfra- si mishi, ëmbëlsirat dhe pijet – filluan të qarkullonin në tregun vendas me çmime të pranueshme dhe shumë produkte tipike (më kryesoret përmendim mishin dhe pambukun) filluan të eksportoheshin. Duke përdorur edhe ushtrinë – edhe si element simbolik i thyerjes së traditës së vjetër, ku ushtarakët gëzonin status superior shoqëror – ai ndërmori një politike efektive agrare duke ndërtuardiganëmënyrëqëshumësipërfaqëtokësoretëfillonintëri-kultivoheshin me qëllim vet-plotësimin e nevojave bazë të ushqimit për popullsinë. Ndërtoi hekurudhën e parë në vend dhe latifondistët francez filluan ti lënë vendin investitorëve zviceran.
Problemet e para filluan me vendet fqinje, si Mali apo Liberia, të cilat refuzuar ofrimin e çimentos dhe te hekurit, të domosdoshme për ndërtimin e digave dhe të veprave të tjerave infrastrukturore në vend. Sankara, saktësoi në raste të ndryshme politikën paqësore të vendit të tij e cila ishte vetëm në dobi të zhdukjes së urisë dhe në funksion të zhvillimit të vendit të tij.
Politika ekonomiko-fiskale e Burkina Faso ishte në kontrast total me qëndrimet kolonialiste dhe imperialiste të vendeve perëndimore. Për të mos mjaftuar, acarimi total i marrëdhënieve arriti nga qëndrimet e tij kritike ndaj vendeve imperialiste dhe politikave fiskale të tyre kundrejt vendeve afrikane të cilat zhyteshin në borxhe afatgjate, në dëm të popullsive të tyre gjithmonë e më shumë. Diskutimet e tij publike – si ai i Kombeve të Bashkuara më 1984 – kundrejt sovranitetit të vendeve afrikane dhe akuzat publike indirekte ndaj Francës, për mbështetjen që kjo i bënte opozitarëve të tij të cilët akuzoheshin për krime lufte ishin të tepruara për vendet perëndimore.
Diskutime e tij anti-imperialiste në daljet ndërkombëtare rritën karizmën e tij si udhëheqës vizionarë por vunë në dukje edhe jetesën e thjeshtë të tij, gjë kjo që rriti shumë simpatinë ndaj tij. Kursimet e administratës së tij ishin të jashtëzakonshme. Shembulli i tij ishte i pa-krahasueshëm. Ai, shpesh i kërkonte delegacioneve të huaja që të bënin transit në vendin e tij, në mënyrë që ta merrnin në bord në fluturimet ndërkombëtare, për të mos huazuar avionë direkt apo fluturime charter. Gjithashtu, ai dallohej për faktin sepse si President vendi, jetonte në një shtëpi modeste me familjen e tij të madhe në numër.
Por, kundrejt shqetësimeve të dukshme për situatën socio-politike të vendit të tij, ai pasqyronte gjithmonë një karakter gazmor dhe të qeshur me njerëzit e tij më të afërm. Urrente çdo lloj forme padrejtësie sociale dhe veproi gjithmonë në këtë drejtim jo vetëm me fjalë por edhe duke zbatuar në praktikë një jetë të tillë. Fakti që ishte vëlla i një familje të shumtë në numër (5 vëllezër dhe 7 motra), e bënte shumë të ndjeshëm ndaj problemeve sociale që vuanin, mbi të gjitha femrat ne Burkina Faso. Ai siguroi barazi në poste drejtuese midis femrave dhe meshkujve, administrata e tij realizoi fushata të ndryshme sensibilizuese por dhe kuruese në luftën kundër SIDA-s dhe vdekjes së të porsa lindurve.
Këto karakteristika bënë që ai të gëzojë popullaritet te masat dhe respekt nga homologët e tij. Por, ndërkohë që vendi i tij zhvillohej dhe popullariteti i tij rritej, rriteshin edhe armiqësitë e tij. Të tilla ishin ato që ushqeheshin nga fuqitë imperialiste, të cilat përpiqeshin ti diktonin politikat ekonomike vendit të tij. Pas kontrasteve të ndryshme ndërkombëtare ai ishte një objektiv i qartë që shkonte kundër interesave të multunacionaleve. Të afër të tij pohojnë së SH.B.A dhe Franca filluan të mbështetnin hapur grushtin e shtetit që do të shënonte edhe vdekjen e tij.
Në datë 15 tetor 1987, Sankara kishte tre takimë zyrtare, dhe rreth orës 16.30 shkon në presidencë, dhe vetëm pak minuta më vonë godina rrethohet nga mjete të rënda ushtarake dhe një grup ushtarësh – golpistët – fillojnë të godasin nga të gjitha drejtimet drejt godinës. Presidenti del nga zyra e tij me duart lart, dhe papritur një breshëri armësh drejtohet rreth tij dhe 12 personave të tjerë të presidencës. Ky është versioni i cili i shkruhet në një hetim ndërkombëtarë për vrasjen e tij e realizuar nga Kombet e Bashkaura në vitin 2015 dhe që nuk është mbyllur akoma.
Grushti i shtetit realizohet i orkestruar nga Zv. Presidenti dhe njëkohësisht edhe miku i tij Blaise Compaoré, duke u varrosur më pas në një varr masiv. Blaise Compaoré zgjidhet President i Burkina Faso me njohjen e menjëhershme të Francës dhe të gjithë bllokut perëndimore dhe qeveris Burkina Faso_n deri në vitin 2014, kur u detyrua të japë dorëheqjen nga protestat e opozitarëve. Pas marrjes së pushtetit, Compaoré pushoi të gjitha reformat që ishin në veprim nga Sankara dhe multinacionalet franceze filluan të operon serish në Burkina Faso.
Fakti qëndron, që më vdekjen e tij, u shua një nga zërat më opozitarë dhe ribel që ka njohur bota moderne dhe një nga shembujt e shërbimit të përulur ndaj vendit të tij. Kur ai vdiq, familjarët mbetën të befasuar që në llogarinë e tij bankare nuk kishte asnjë të ardhur, ashtu si ai nuk gëzonte asnjë pronë në emrin e tij. Figura e Thomas Sankara është frymëzim për shumë breza dhe një model impenjimi konstant ndaj vendit të tij. Në vitet e fundit shumë organizma por dhe politikanë në mbarë botën e përdorin modelin e tij në diskutimet popullore dhe në ligjëratat e tyre. Ai konsiderohet si Che Guevara i Afrikes, por në realitet ai ishte një model i pa-përsëritshëm dhe unikal në historinë moderne kapitaliste.
*Autori është pedagog në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës