Më shumë se 100 organizata humanitare ndërkombëtare, mes tyre Oxfam dhe Mjekët pa Kufij, kanë nënshkruar një letër të përbashkët ku i bëjnë thirrje Izraelit të ndalojë përdorimin e ndihmave humanitare si armë lufte kundër civilëve palestinezë, ndërsa shkalla e urisë në enklavën palestineze përshkallëzohet.
Sipas këtyre organizatave, atyre po iu ndalohet të bëjnë punën e tyre nëse nuk zbatojnë rregullat e ashpra nga Izraeli. Këto rregulla përfshijnë shpërndarjen e informacioneve për punonjësit palestinezë që ata kanë në strukturat e tyre.
Nëse organizatat nuk ndajnë këto informacione, atëherë ata rrezikojnë të bllokohen të kryejnë punën e tyre nga ushtria Izraelite.
Avivi Zyrtar mohon se ka kufizime dhe thotë se rregullat, të vendosura në mars, garantojnë që ndihmat “të arrijnë drejtpërdrejt te popullata dhe jo tek Hamasi”
Megjithatë, sipas letrës së përbashkët, shumica e organizatave ndërkombëtare nuk kanë arritur të dorëzojnë asnjë kamion me ndihma jetike që nga 2 marsi.
Vetëm në korrik, mbi 60 kërkesa për futjen e ndihmave janë refuzuar.
Pasojat janë të rënda – spitale pa furnizime bazë, fëmijë, persona me aftësi të kufizuara dhe të moshuar që vdesin nga uria dhe sëmundje të parandalueshme.
Drejtori i Anera-s, Sean Carroll, tha se kanë mbi 7 milionë dollarë ndihma të bllokuara në Ashdod, vetëm disa kilometra larg Gazës, përfshirë 744 ton oriz, I cili mjafton për të shpërndarë 6 milionë vakte.
Izraeli këmbëngul se vonesat ndodhin vetëm kur organizatat “nuk pranojnë të plotësojnë kërkesat bazë të sigurisë” për të parandaluar përfshirjen e Hamasit.
Autoritetet ushtarake thonë se rreth 20 organizata të regjistruara po sjellin ndihma dhe rreth 300 kamionë hyjnë çdo ditë në Gaza, ndërkohë që OKB-ja vlerëson se nevoja është për 600 kamionë në ditë.
Rregulloret e reja parashikojnë që regjistrimi i një organizate mund të refuzohet nëse konsiderohet se mohon karakterin demokratik të Izraelit ose “promovon fushata delegjitimimi” kundër tij.
Ministri i Diasporës, Amichai Chikli, tha se shumë organizata “shërbejnë si mbulesë për aktivitete armiqësore” dhe se ato që nuk kanë lidhje me aktivitete të tilla do të lejohen të operojnë.
Oxfam raporton se më shumë se 2.5 milionë dollarë ndihma të tyre janë refuzuar nga Izraeli. Bushra Khalidi nga Oxfam tha se procesi i regjistrimit i vendos OJQ-të përballë zgjedhjes mes operimit dhe ruajtjes së pavarësisë së tyre.
Letra vjen në një kohë kur Izraeli ka intensifikuar bombardimet mbi qytetin e Gazës, me planin për të marrë kontrollin e tij.
Izraeli thotë se do të shpërndajë ndihma në zonat civile “jashtë zonave të luftës”, por nuk ka sqaruar nëse këtë do ta bëjë përmes Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), të mbështetur nga SHBA dhe Izraeli.