Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu ndau sot zërin e qytetarëve mbi ndalimin e përkohshëm të monopatinave.
“Siguria në rrugë vjen para gjithçkaje. Së bashku do të vendosim rregulla të qarta dhe standarde të Bashkimit Evropian në qytetet tona”, theksoi Koçiu.
Qytetarët e pyetur shprehen se vendimi ishte shumë i drejtë.
“Shumë i drejtë dhe nuk duhet të jetë i përkohshëm, por për përgjithmonë. Mirë është përgjithmonë, se nuk janë për fëmijët ato. As të rriturit nuk e komandojnë, se janë elektrike dhe kanë një shpejtësi shumë të madhe”, u shpreh një qytetare.
E pyetur nëse i duken të rrezikshme, ajo theksoi se po.
“Shumë të rrezikshme. Po, po kanë vdekur shumë vetë, shumë fëmijë dhe të rritur. Shumë i drejtë, jo shumë të rrezikshme”, tha ajo.
Edhe qytetarë të tjerë shprehen se monopatinat janë kthyer në problem për këmbësorët dhe jo vetëm.
“Kalamajtë po thyejnë qafën, po rrëzohen edhe të mëdhenjtë. Unë nuk jetoj këtu, jetoj në Nu-Jork, mendoj që janë shumë të rrezikshme”, tha një tjetër qytetare.
Një tjetër qytetare gjithashtu e sheh si një vendim të drejtë.
“Unë mendoj personalisht që është një vendim shumë i drejtë, për shkak se kam parë shumë monopatina të cilat lëvizin në mënyrë jo të rregullt në rrugë. Ecja e tyre na shkakton probleme herë pas here, jo vetëm”, theksoi ajo.
“Monopatinat kalojnë shumë afër këmbësorëve, ose dy monopatina njëra me tjetrën. Janë përplasur adoleshentët në fakt, bëjnë gara me njëri-tjetrin, lozin me njëri-tjetrin në rrugë”, tha një tjetër qytetare.
“Mendoj që është vendim shumë i drejtë, se kemi parë edhe vetë se sa të rrezikshme që janë në rrugë”, shtoi një qytetare tjetër
Ministrja Koçiu njoftoi të dielën ndalimin e përkohshëm të qarkullimit të monopatinave elektrike në të gjithë vendin, pas shtimit të shqetësimeve për sigurinë publike. Vendimi u mor pas një analize të detajuar të Policisë së Shtetit, e cila evidentoi rritje të ndjeshme të aksidenteve që përfshijnë këto mjete, kryesisht në zonat urbane.