Qarku i Elbasanit ka përjetuar gjatë orëve të natës reshje shiu sporadike dhe me intensitet të ulët, me një sasi totale prej rreth 11 mm. Sipas raportimeve zyrtare, situata paraqitet e qetë dhe pa problematika serioze, ndërsa strukturat përkatëse mbeten në gatishmëri për çdo zhvillim të mundshëm. E vetmja problematikë e evidentuar është raportuar në Bashkinë Belsh, ku rreth orës 07:00 Drejtoria Vendore e Policisë ka njoftuar për prani uji në dy banesa,njëra në qytetin e Belshit, në zonën e ish-SMT-së, dhe tjetra në fshatin Qafë Shkallë. Menjëherë është njoftuar Bashkia Belsh për marrjen e masave të nevojshme dhe ndjekjen e situatës në terren.
Në bashkitë e tjera të qarkut nuk raportohen problematika apo situata emergjente. Akset rrugore nacionale dhe rurale janë të gjitha të hapura për qarkullimin e mjeteve. Në aksin nacional Gramsh–Moglicë ka pasur rënie inertesh në rrugë, të cilat janë pastruar në kohë nga firma kontraktuese, duke rikthyer normalitetin e lëvizjes.
Prurjet e lumenjve dhe përrenjve janë në kuota mesatare dhe nuk paraqesin rrezik për përmbytje. Sa i përket furnizimit me energji elektrike, gjatë natës janë regjistruar disa stakime, ndërsa aktualisht mbeten pa energji fidri në Njësinë Administrative Përparim, Bashkia Peqin, si dhe fidri Klos–Mollas në Bashkinë Cërrik, ku po punohet për rikthimin e energjisë. Autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencave vijojnë monitorimin e situatës, duke garantuar ndërhyrje të shpejtë në rast të përkeqësimit të kushteve atmosferike.














