Detaje të reja janë mësuar nga sherri mes Gert Latifit dhe dy vëllezërve Rrest e Vilardo Abazaj.
Latifi plagosi rëndë me thikë dy vëllezërit në tiranë dhe më pas u largua në Lushnjë, ku dhe u arrestua.
Gert Latifi, ishte kthyer pak kohë më parë nga Italia, ku jetonte me bashkëshorten dhe fëmijët.
Sherri mes të rinjve, sipas deklarimeve të tyre, kishte nisur për ngacmimin e një vajze, tre vite më parë. Mbrëmjen e djeshme, 35-vjeçari Latifi komunikoi me dy vëllezërit dhe la takim për t’u sqaruar.
Konflikti mes tyre fillimisht nisi me fjalë, u pasua me sharje dhe përplasje fizike me grushte.
Më pas Latifi i plagosi me thikë. Pas ngjarjes u largua menjëherë dhe u zbulua nga mjeti që lëvizte, të cilën e kishte marrë me qira. Përmes GPS së makinës policia bëri të mundur identifikimin dhe më pas lokalizimin në Lushnjë në një hotel, ku iu gjet edhe një sasi kokaine dhe 1150 euro.
Me të në hotel ndodhej edhe një 17-vjeçar, i cili u procedua në gjendje në lirë pasi dyshohet se ka dijeni për ngjarjen dhe nuk ka kallëzuar pranë organeve kompetente.