Procesi i regjistrimeve në universitetet publike dhe private është drejt përfundimit për raundin e parë, me pjesën dërrmuese të maturantëve tashmë të regjistruar. Degët e Shëndetësisë vijojnë të jenë më të preferuarat. Maturantët që nuk kanë siguruar ende një vend, do të kenë një tjetër mundësi në raundin e dytë që nis më 20 shtator.
Procesi i regjistrimeve në universitete ka hyrë në fazën përmbyllëse të raundit të parë dhe shifrat tregojnë një interes të lartë nga maturantët.
Degët më të kërkuara këtë vit janë sërish ato të Shëndetësisë, ku Mjekësia e Përgjithshme ka qenë e para që ka mbyllur kuotat, e ndjekur nga Stomatologjia, Farmacia dhe Infermieria.
Deri më tani, janë regjistruar rreth 16 mijë kandidatë, ndërsa raundi i dytë do të jetë vendimtar për afro 4300 maturantë që ende nuk kanë siguruar një vend në fakultet.
Sipas kreut te rrjetit Akademik Shqiptar nga mbi 20 mijë e 200 maturantë që aplikuan në raundin e parë, pjesa më e madhe tashmë janë regjistruar, ndërsa ata që mbeten do të kenë një tjetër mundësi në raundin e dytë.
Raundi i dytë i aplikimeve do të jetë i hapur nga data 20 deri më 22 shtator ku maturantët që nuk kanë siguruar ende një degë studimi, do të kenë mundësi të rishikojnë zgjedhjet e tyre dhe të konkurrojnë sërish për vendet e mbetura bosh.















