Ministria e Brendshme e Shqipërisë thotë se ka marrë informacion zyrtar nga autoritetet greke, se gjashtë personat e vrarë pasditen e djeshme nuk janë shqiptarë, por shtetas turq. Viktimat kanë rënë pre e një atentati mafioz në zonën e Loutsas në Athinë.
Fillimisht, mediat në vendin fqinj raportuan se viktimat ishin të gjithë shtetas shqiptarë.
“Zyra e Ministrit të Brendshëm ka ndjekur prej momentit të parë ngjarjen në Greqi dhe nga informacioni paraprak nga autoritetet greke jemi informuar se viktimat kanë shtetësi turke me karta identiteti të një vendi të BE”, sqaron Ministria e Brendshme.
Të rinjtë kanë qenë duke udhëtuar me një mjet Ford Focus me targa gjermane RR-6666, kur u qëlluan me breshëri plumbash nga një makinë në lëvizje me targa false shqiptare dhe një motor. Newsbomb.al ka raportuar herët mëngjesin e sotëm, se viktimat janë turq me pasaporta franceze.
Skenari më i mundshëm nga autoritetet greke është se bëhet fjalë për një larje hesapesh, lidhur me një rast droge. Atentatorët dhe viktimat njiheshin me njëri-tjetrin dhe duket se në fakt, të parët i kanë bërë pritë makinës Ford Focus dhe më pas kanë vrarë të gjashtë personat që ndodheshin në të.
Ky version përforcohet edhe nga pozicioni në të cilin janë gjetur viktimat (brenda makinës). Pesë nga gjashtë viktimat u gjetën brenda në makinë, kurse e gjashta u gjet jashtë, duke u përpjekur të arratisej.