Po le ta shohim me radhë të gjithë kronologjinë e Adriatik Zotkajt, një i dënuar me pesë vendime, që hyri në Bashkinë e Poliçanit si pagamarrës me pamjaftueshmëri jetese dhe sot rezulton një nga personazhet më të pasur të Shqipërisë.
Nga viti 2003 deri në vitin 2006. Zotkaj deklaron vetëm pagat. Asnjë pasuri, asnjë llogari, asnjë pronë. Vetëm rroga e tij dhe e bashkëshortes mësuese. Por në vitin 2007, gjithçka ndryshon. Ai deklaron se është themelues 100 për qind i kompanisë “Perla e Tomorrit”. Po atë vit merr një kredi prej 50 mijë eurosh, me këst vjetor 14.719 euro. Me të ardhura vetëm 1.466.556 lekë, Zotkaj nuk kishte mundësi as të paguante këstin, e jo më të mbulonte jetesën për veten, bashkëshorten dhe dy fëmijët.
Në vitin 2008, deklaron një tjetër kredi prej 1 milion lekësh dhe një hua kolosale prej 19.7 milionë lekësh të reja nga kompania LANI shpk, në pronësi të Vladimir Kostës, ish-deputet i Partisë Socialiste, i përfshirë edhe në dosjen hetimore të Erion Veliajt. Edhe këtu, pyetja që mbetet pezull: si u miratuan këto kredi nga bankat, kur të ardhurat nuk e justifikonin as këstin më minimal?
Në vitin 2009, Zotkaj deklaron vetëm pagat, 1.447.300 lekë, dhe këstin e kredisë, 14.684 euro. Bilanci ishte sërish negativ. Ai nuk deklaron pagesat për kredinë 1 milion lekëshe. Në vitin 2010, deklaron pagat dhe borxhin tashmë 70 mijë euro, si dhe e ridelaron borxhin nga kompania LANI. Në vitin 2011, shuma e kredisë është 75 mijë euro. Në vitin 2012, sërish, bilanci negativ, me një kredi tjetër prej 30 mijë eurosh që nuk shfaqet në deklaratën e vitit.
Në vitin 2014, deklaron një pasuri prej 1100 metrash katrorë, e blerë sipas kontratës së 5 shtatorit 2012, por pa e deklaruar në kohë. Po atë vit, deklaron edhe qiranë me Vodafone prej 240 mijë lekësh. Një tjetër element i fshehur. Ai bëhet edhe garant i një kredie 1 milion euro të marrë nga kompania Perla e Tomorrit, nga e cila ishin shlyer 500 mijë euro pa deklaruar burimin pasi kjo kompani dilte vazhdimisht me humbje. Në vitin 2015, deklaron të ardhurat nga paga dhe qiranë, por edhe blerjen e një makine 280 mijë lekë nga i biri, Endi Zotkaj, vetëm 18 vjeç. Një tjetër bilanc negativ. Në vitin 2016 deklaron pagat, të ardhurat nga qeraja dhe kredinë 75.000 euro.
Në vitin 2017, për herë të parë deklaron pronën 5000 metra katrorë me ndërtesë, të regjistruar pas legalizimit, në emër të kompanisë ABG, të cilës i kishte ndryshuar emrin në vitin 2009, ose sic njihet publikisht Perla e Tomorit. Po atë vit, deklaron shitjen e makinës së të birit Endi, 4 mijë euro ose me fitim dyfishin e çmimit të blerjes. Ndërkohë, deklaron pagën e djalit Maliq, të punësuar në Bashkinë Poliçan por pa e specifikuar pasi ishte në konflikt interesi, nën drejtimin e të atit. Ndërsa Endi Zotkaj, vetëm 20 vjeç, rezulton i regjistruar si person fizik me objekt biznesi farmaci, pa qenë farmacist.
Në vitin 2018, bashkëshortja e Zotkajt merr një kredi prej 2 milion lekësh.
Në vitin 2019 deklaron të ardhurat nga pagat, qeraja dhe farmacia e të birit. Deklarojnë se kanë marrë një kredi 50 mijë euro për të blerë një apartament 116 m2 në vlerën 77.836 euro. Sipas deklarimit për këtë banesë tashmë në pronësi të familjes Zotkaj do të paguhej kësti i parë 50.000 euro kurse kësti i 2 dhe i 3 do të paguheshin pasi të shlyej kredia e cila ka një afat 15 vjeçar. Pra e thënë në mënyrë të përmbledhur, individi ose kompania që i ka shitur apartamentin Adriatikut do marrë vetëm 50.000 euro kurse diferencën 27.000 euro do e marrë pas 15 vitesh por apartamentin kalon që në momentin e parë në pronësi të tyre.
Po në këtë vit i biri Maliq Zotkaj deklaron se ka në pronësi dhe një tjetër apartamen 116 m2 në vlerë 76.096 euro por për shkak se banka nuk i ka miratuar kredinë, deklaruar kjo në ILDKPI, kjo pronë do kaloj në emër të tij por do qëndrojë e bllokuar nga pala shitëse. Një tjetër akt i madh bamirësisë nga e njëjta palë shitëse e cila për dy pasuri në vlerë 153.932 euro do të marrë vetëm 50.000 euro e për të tjerat do presë por pronat do ja kalojë në pronësi të Familjes Zotkaj. Në këtë vit deklarohet për herë të parë bashkëjetuesja e Maliq Zotkaj, shtetasja Bernarda Kondi. Ajo deklaron të ardhurat nga pagat por duke harruar një detaj që dhe ajo është e punësuar pranë Bashkisë Poliçan.
Por Bernarda Kondi do të duhej të ishte deklaruar më parë nga Maliq Zotkaj pasi kanë bashkë një femijë të lindur që në vitin 2017. Por edhe ky detaj mund të jetë mbajtur i fshehtë për shkak të tenderit të fituar nga kompania Metaj Stone nga Bashkia Poliçan. Sipas deklarimit bashkëshortja dhe femijët kanë dhe disa detyrime të tjera si overdrafte pagash apo karta krediti. Në vitin 2021 deklarojnë se tashmë kanë marrë dhe një tjetër borxh në vlerën 76.096 nga një subjekt/individ që nuk dihet për të mbuluar blerjen e shtëpisë së dytë pasi banka nuk u miratoi kredinë pasi ishin në pamundësi financiare me bilanc negativ.
Në vitin 2021, Endi Zotkaj deklaron pronësi mbi 4500 metra tokë, të blerë në çmime qesharake: 70 lekë për metër katror, 54 lekë për metër katror, dhe një kullotë prej 1100 metrash dhuratë pa dhurues të deklaruar.
Në total për vitin 2023 Endi Zotkaj deklaron se ka në pronësi 4.500 m2 tokë, për vitin 2022 nuk ka deklaratë në portalin Open Data Albania.
Në vitin 2023 deklarojnë të ardhurat nga pagat. Maliq Zotkaj deklaron se zotëron aksionet në kompaninë G&M Construction dhe se ka përfituar 2.500.000 leë divident nga kjo kompani dhe pse në vendimin e Asamblesë të depozituar në QKB deklarojnë se fitimi I kompanisë të sapohapur në vitin 2022 do të kalohet për investime në vitin 2023.
Në këtë deklaratë shohim së Adriatik Zotkaj deklaron një huamarrje jo bankarë për të cilën deklaron se në vitin 2023 ka shlyer shumën 1.890.000 lekë dhe ka mbetur pa shlyer shuma 895.000 lekë.
Çifti Zotkaj ka të ardhura nga pagat dhe qeraja në vlerën 1.998.506 lekë. Po në këtë vit deklarojnë se kanë shlyer detyrimet per kredite në vlerën 1.042.692 lekë. Por bilanci këtë vit është pozitiv pasi shpëtohet nga të ardhurat e djemve biznesmen në vlerën 8.000.000 lekë.
Dhe pse të ardhura të mjaftueshme të cilat do të duhet të hetohen nga SPAK nëse realisht janë shpërndarë si divident apo janë kryer vetëm veprime fiktive për justifikimin e të ardhurave pasi siç do e sqarojmë dhe më pas biznesi si person fizik i të birit Endi Zotkaj i quajtur Perla e Tomorrit nuk ka deklaruar ku është gjetur vlera e investimit për të ndërtuar një super hotel luksoz me 12 dhoma, një super restorant që mund të akomodojë në hapsirën e brendshme 130 persona. Deklarime këto të bëra nga Endi Zotkaj në mediat Kombëtare.
Në vitin 2023, Adriatik Zotkaj deklaron se Endi Zotkaj ka përfituar me anë të dhurimit Arë + Trual 3.090 m2. Në vitin 2024 deklarojnë se kanë shlyer kredinë 50.000 euro ndërsa djemt Endi dhe Mliq Zotkaj deklarojnë se kanë marrë kredi në vlerën 5 milionë lekë. Në këto deklarata nuk jepen më të dhëna për bashkëjetuesen Bernarda Kondi. Ne vitin 2024 dhe 2025, Endi Zotkaj ka dhënë dy intervista pranë Top Channel në resortin perla e tomorrit. Nga pamjet filmike shihet qartë se hoteli është ngritur afer fabrikës së ujit BORA. Një kompani e themeluar nga I ati por që sot ka vetëm 35% të aksioneve.
Sipas Endit, gjatë intervistës fillestare fillimisht hoteli ka patur 6 dhoma dhe është vendosur në ambjentet e dhomave të fjetjes së punëtorëve të fabrikës dhe më pas në vitin 2020-2021 është riinvestuar. Nuk dihet sesi i kanë marrë ato ambjente pasi kompania e themeluar nga i jati i fabrikës së ujit Bora është një kompani që ka daleë vazhdimisht me humbje dhe se prona ishte e të gjithë pronarëve e sot është kolateral i bllokuar deri në momentin që blerësi i ri do shlyej detyrimin 1.5 milione euro për blerjen e 62% të aksioneve. Bilanci i fundit i depozituar në QKB është viti 2021 nga i cili kuptohet se prej vitesh kjo kompani nuk deklaron të ardhura, pra as të ardhura nga qeradhënia, siç do të duhej nësw ja kanë dhënë Endi Zotkaj.
Kujtojmë se Endi Zotkaj rezulton aksioner në 3 kompani:
Endi Zotkaj PF regjistruar në vitin 2017 me objekt farmaci ADRIEN.
Ky subjekt ka përfitar të ardhura nga Bashkia Poliçan në vlerën 1.700.000 lekë.
Ky subjekt nuk ka ushtruar tjetër aktivitet dhe nuk ka asnjë adresë të regjistruar në Perlën e Tomorrit. Subjekti ka pezulluar aktivitetin në mars të vitit 2024.
Në mars të vitit 2021 themelohet kompania Perla e Tomorrit – EZ shpk, me objekt veprimtari të ndryshme në fushën e agroturizmit. Adresa është Fshati UJANIK, pikërisht ku është ndërtuar resorti Perla e Tomorrit. Por tashmë sipas deklarimeve të Endi Zotkaj, hoteli ishte në funksion dhe priste klientë, mes vështirësive pasi rruga ende nuk ishte bërë që në vitin 2020. Në tetor të vitit 2024 regjistron një adresë dytësore në tiranë në rrugën Irfan Tomini në njësinë 5. Ku specifikohet se është njësi 45.5 m2.
Gazetarët tanë e gjetën këtë ambjent dhe aty shiten bulmete të ndryshme që vijnë nga baxho e familjes Zotkaj, sipas deklarimeve të Endit në Top Channel.
Ky subjekt ka depozituar bilanc vetëm në vitin 2024 ku shihet se faturimi për vitet 2023-2024 janë në vlerën 17.000.000 lekë. Nuk ka asnjë asset/investim të deklaruar. Por as qeramarrje afatgjatë të asetit në përdorim. Në tetor të vitit 2023 themelohet kompania EZ-Group, me adresë Fabrikën e Ujit Bora ku aksioner është me 35% i ati. Objekti i aktivitetit është pikërisht tregtimi i ujit. Ky subjekt nuk ka deklaruar bilancet për vitet 2023-2024 dhe ne qershor te vitit 2025 kompania ka kaluar ne likujdim.
ILDKP-i në Kallëzimin e saj në vitin 2015, i ka listuar Prokurorisë së Përgjithshme të gjitha shkeljet e kryera nga Adriatik Zotkaj, duke kërkuar hetimin e tij për veprat penale, për veprat penale të fshehjes dhe deklarimit të rremë të pasurisë, shpërdorimit të detyrës, pastrimit të produkteve të veprës penale, por ndërsa Prokuroria në mënyrë enigmatike nuk vepronte, Zotkaj vijonte me pasurimin. Emisioni plug iu drejtua me një kërkesë për informacion Prokurorisë së Përgjitshme se çfarë kishte ndodhur me hetimin e Adriatik Zotkaj, por përgjigja ishte e pritshme, çështja ishte deleguar në Prokurorinë e Rethit të Beratit.
Kallëzimi penal i ardhur nga ILDKPI, kundër shtetasit Adriatik Zotkaj, me detyrë Kryetar i Bashkisë Poliçan, për veprat penale të parashikuara nga nenet 257/a/2, 248 dhe 287 të Kodit Penal, i është dërguar për kompetencë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat. Për informacion të mëtejshëm duhet ti drejtoheni kësaj prokuroie. Duke ju falendëruar për mirëkuptimin.
Strategjia dhe mënyra mbetet e njëjtë. Ajo që po ndodh me Shqipërinë nga Rilindja dhe Edi Rama, po zbatohet me përpikmëri edhe nga çdo kryebashkiak. Privatizim institucionesh, vjedhje fondesh e pronash e në fund me një listë të gjatë pasurimi, që duket se nuk ndalet kurrë. Përballë janë institucuionet ligjzbatuese, që me mosveprimin e tyre, më së paku tregojnë paaftësi në mos më së shumti, e kanë ngjyer ndopak në pasurinë marramëndëse të krijuar nga beu i ri I Poliçanit.