Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes zëvendëspresidentit të saj, Mike Pence, i ka adresuar një mesazh të qartë Koresë së Veriut, se do të përgjigjet ndaj çdo provokimi.
Duke folur nga aeroplanbartësi amerikan “USS Ronald Reagan”, në Japoni, Pence tha se Koreja Veriore është “kërcënimi më i rrezikshëm dhe më urgjent për paqen dhe sigurinë në rajonin Azi-Paqësor”.
Ai tha se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, “do të vazhdojë të punojë në mënyrë të zellshme”, me vendet e tjera, për të ndërmarrë presion ekonomik dhe diplomatik kundër Phenianit, por theksoi se Shtetet e Bashkuara “gjithnjë do të synojnë paqe”.
Pence është shprehur se “mburoja qëndron në mbrojtje, ndërsa shpata qëndron e gatshme”. Këto komente u bënë një ditë pasi dështoi një lançim raketor i Koresë Veriore. Gjatë viteve të fundit, Pheniani i ka përshpejtuar testet e veta atomike dhe raketore, përkundër dënimit ndërkombëtar dhe sanksioneve të Kombeve të Bashkuara.