Drejtori i Policisë Vlorë, Drejtues Eldion Çela tha në një konferencë për shtyp se gjatë një operacioni të koduar “Danger”, për kapjen e personave me rrezikshmëri të theksuar shoqërore që qarkullojnë me armë zjarri, u bë e mundur që në lagjen “Pavarsia”, pranë Lungomares, të kapej një person me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, i cili lëvizte i armatosur.
Çela tha se bazuar në informacionet e inteligjencës policore dhe pas një operacioni të mirëkoordinuar, shërbimet operacionale bënë të mundur lokalizimin, neutralizimin dhe kapjen e shtetasit Endrit Sadedinaj 38 vjeç, person me precedentë penalë të theksuar, i arrestuar dhe i hetuar më parë nga autoritetet e huaja për vepra penale të rënda në fushën e krimeve kundër personit.
Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, së bashku me një karikator me municion luftarak.
Endrit Sadedinaj, në momentin që pa shërbimet e Policisë, tentoi të largohej dhe u ka drejtuar armën e zjarrit shërbimeve të Policisë, por s’ka mundur të qëllojë apo të largohet. Pas ndërhyerjes së policisë është bërë e mundur neutralizimi dhe arrestimi i tij.
Sipas informacioneve Endrit Sadedini Pak vite më parë i kanë vënë një sasi tritoli në hyrjen e një garazhdi pranë banesës së tij. Dyshohet gjithashtu se ai është i përfshirë në aktivitetin kriminal të drogës me aktivitet kriminal edhe jashtë vendit kryesisht në Belgjikë apo Spanjë.