Sot, më 6 shkurt, në Gjykatën e Durrësit po zhvillohet seanca për verifikimin e masave të sigurisë ndaj 20 personave të arrestuar në lidhje me skandalin e mbetjeve të rrezikshme të kthyer nga Tajlanda.
Të dyshuarit u shoqëruan në gjykatë nën masa të rrepta sigurie, ndërsa 13 persona të tjerë vijojnë të jenë në kërkim.
Çështja lidhet me 2 mijë e 800 tonë mbetje, të shpërndara në 102 kontejnerë, që u kthyen në Shqipëri në tetor 2024, pasi më herët ishin dërguar drejt Tajlandës.
Analizat e kryera në një laborator në Itali zbuluan prani elementësh shumë të rrezikshëm, toksikë për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, veçanërisht për ekosistemet ujore.
Prokuroria dyshon se të përfshirët kanë konsumuar disa vepra penale, përfshirë kontrabandë të mallrave të ndaluara, transport të paligjshëm mbetjesh, falsifikim dokumentesh, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.
Mes të arrestuarve ka zyrtarë të Doganës së Durrësit dhe të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, përfshirë drejtues aktualë dhe ish-drejtues.
Ndërkohë, në kërkim janë shpallur edhe administratori i “Kurum International” dhe pronarja e kompanisë “Sokolaj”, për të cilët gjykata ka caktuar masën “arrest me burg” në mungesë.
Të 102 kontejnerët vijojnë të mbahen të sekuestruar në portin e Durrësit, si prova materiale e hetimit.








