Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet në seancë gjyqësore për rivlerësimin e masës së tij së sigurisë, administrata bashkiake ka dalë sërish në mbështetje të tij, duke organizuar një tubim përpara Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Raportohet se punonjës të bashkisë dhe policisë bashkiake janë rreshtuar për të shprehur solidaritetin e tyre, me mobilizimin që dyshohet se është organizuar me urdhër të brendshëm. Burime të ndryshme kanë konfirmuar se Policia Bashkiake është angazhuar duke braktisur uniformën e saj për t’u bashkuar me protestën.
Gjatë tubimit u vunë re drejtorë dhe ish-drejtorë të Policisë Bashkiake, të shoqëruar nga familjarë dhe mbështetës të Partisë Socialiste. Kjo lëvizje ka shkaktuar debat, pasi opozita e ka cilësuar si një përpjekje për të politizuar administratën dhe për të ushtruar presion mbi drejtësinë.
Seanca për Veliajn është zhvilluar në një atmosferë të tensionuar, ndërsa pritet vendimi i gjykatës mbi masën e tij të sigurisë.