Mashtronin shtetas të huaj, kryesisht italianë duke u premtuar investime në bursën ‘Forex’ për të përfituar, Prokuroria Tiranë dërgon në gjyq 7 persona.
NJOFTIMI
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtatë persona, shtetasit B.B., K.D., J.J., A.Ll., E.A., Gj.R., dhe L.Sh., për veprën penale ‘Mashtrimi’ parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.8500 të vitit 2023, të nisur pas informacioneve të marra në rrugë operative nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, mbi subjektet e licensuara dhe të palicensuara në lidhje me veprimtarinë ‘Forex’, rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë realizuar veprimtari mashtruese në ambientet e shoqërisë ‘OZAR’ sh.p.k., nëpërmjet një skeme të mirëorganizuar, e realizuar në formën e një call center-i. Brenda kësaj veprimtarie, të pandehurit në fjalë, kanë marrë pjesë në realizimin e skemës mashtruese të drejtuar ndaj shtetasve të huaj, mes tyre shtetasit italianë L.C. dhe S.S., duke kontribuar në funksionimin normal të mekanizmit të mashtrimit dhe në sigurimin e vijimit të tij.
Nga ky procedim janë veçuar aktet dhe vijojnë hetimet në një procedim të ri me numër 8500/1 për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 143/3 K.Penal, si dhe për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale, parashikuar nga neni 287 i K.Penal ndaj viktimave të tjera në bashkëpunim me autoritetet e huaja .















