Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, vlerësoi Shqipërinë në luftën që ka bërë kundër krimit të organizuar dhe trafikut.
Në konferencën për shtyp me kryeministrin Edi Rama, kreu i Shtetit francez deklaroi se rruga evropiane e Shqipërisë është tashmë e pakthyeshme.
“Në luftën kundër krimit e trafikut, ju falënderoj që keni qenë efikasë në këtë fushë, gjë që na ka bërë të nënshkruajmë një marrëveshje dhe ta vëmë në zbatim. Do të vazhdojmë të ecim përpara të përforcuar nga kjo dinamikë. Jam i bindur që vendi juaj është i ankoruar në Evropë. Jo vetëm në këtë zonë, ku deshën t’iu mbyllin shumë herë, ndërsa ju kishit atë karakterin tuaj të veçantë në rajon, por edhe në Mesdhe. Po hyjmë në erën e re të ribashkimit të kontinentit tonë. Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian është e pakthyeshme. Përshëndes rrugën e reformave që keni ndërmarrë. Jeni një vend e një popull që e donte Evropën, kjo është thelbësore”, tha Macron.