18 vjet pas Betejës së Koshares, eprorë e ushtarë të ushtrisë serbe, flasin për tmerrin dhe humbjet që kanë përjetuar në luftimet me forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në tribunën e organizuar në Beograd, me temë “Beteja e Koshares”, ushtarakët serbë kanë treguar se beteja për Kosharen ka zgjatur 67 ditë dhe se një betejë e tillë nuk mbahet mend. Koloneli, Ljubinko Gjuroviç, komandant i njësitit për mbrojtjen e Koshares, duke kujtuar atë kohë thotë se: “Në brezin kufitar Kosovë-Shqipëri atëherë kishin 1, 357 luftëtarë, por thotë se ishte e pamundur të mbrohet Kosharja, kur përballë kishin 6000 luftëtarët të UÇK-së në vijën e parë dhe 2000 në vijën e dytë si dhe 34 tanke. Kushtet atmosferike dhe gjeografike ishin të tmerrshme, po aq sa armiku”, thotë ai.
Kapiteni Dushan Jokiç, komandant i togut për mbrojtjen e Koshares, thotë se deri në vitin 1999, kodrat e Dinarës dhe Velebitit janë përvoja e tij më e hidhur.
“Kam luftuar në Velebit, kam menduar se në malet Dinarike është më së vështiri, por ai që ua ka lënë emrin Bjeshkëve të Nemuna, ka pasur të drejtë… Atje ku ishte togu im, bora ishte deri në brez. Kur në atë lartësi binte mjegulla, atëherë të bëhej sikur je në një planet tjetër. Jam mërdhirë i tëri. Ferri i Koshares kurrë mos u përsëritët”, tha ai.
Vojislav Vukashinoviq ishte luftëtari më i ri serb, i cili në moshën 19-vjeçare kishte shkuar të shërbejë në ushtrinë e atëhershme jugosllave.