Luftërat e shekullit XX-të mund të shihen si forca kryesore lëvizëse e historisë, thotë Peter Clarke, autor i librit “Lokomotiva e Luftës: Paraja, Perandoria, Pushteti dhe Faji”. Në një artikull për “History Extra”, ai shqyrton ngjarjet globale rreth luftërave botërore, përmes karrierës së pesë figurave historike kryesore.
“Lufta është lokomotiva e historisë”, pretendonte Leon Trotsky, pas revolucionit rus të vitit 1917. A ishte i saktë? Përgjigja është jo; të paktën, jo në parashikimin e tij se ajo do të sillte pashmangshmërisht revolucionin komunist tek vendet e përparuara kapitaliste, sidomos në Britani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, ne mund të mësojmë ende nga intuita e tij mbi fuqinë e luftës, në bërjen e historisë në shkallë të madhe në shekullin XX-të.
Në vitin 1914, Perandoria Britanike zinte një të katërtën e sipërfaqes së globit dhe qeveriste po një të katërtën e popullsisë së botës. Megjithatë, veçantia e saj qe ngritja e një “bote anglo-saksone”, që popullonte tre kontinente nëpërmjet kolonializmit. Në Luftën e Parë Botërore, Britania pati një mbështetje jetike nga zotërimet e saj – Kanadaja dhe Nju Faundlendi, Afrika e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re – por u detyrua të paguante një çmim për këtë.
Shumica e amerikanëve e panë në fillim shpërthimin e luftës në vitin 1914, si njërën prej atyre betejave të lodhshme midis shoqërive atavike të Botës së Vjetër. Megjithatë, në prill të vitit 1917, Presidenti Wilson e futi SHBA-në në luftë, duke i deklaruar Kongresit: “Bota duhet të bëhet e sigurt për demokraci”.
Pra, a qe ajo luftë e fundit mes luftërave dinastike ndërmjet mbretërve dhe perandorëve? Apo lufta e parë ideologjike mes kombeve? Çfarë lloj paqeje u arrit në fund të saj? Pse Lufta e Dytë Botërore, mund të shihet si një lloj konflikti i ndryshëm? Si mund ta kuptojmë trashëgiminë e saj në promovimin e një shoqërie më të begatë të pasluftës, me punësimin e plotë dhe një shpërndarje më të barabartë të pasurisë?
Paratë, perandoria dhe pushteti janë vërtetë faktorë të fuqishëm – por, po ashtu është edhe faji. Traktati i Versajës, në vitin 1919, e identifikoi Gjermaninë si palën fajtore, duke provokuar pakënaqësitë që ushqeu ngjitjen e Hitlerit në pushtet. Fakt është se faji ka qenë prej kohësh një fije e përbashkët në liberalizmin anglo-amerikan, të paktën që nga koha e William Gladstone me politikën e tij të ‘pasionit virtuoz’, në fund të shekullit XIX-të, duke mbështetur kauzën e popujve të shtypur si bullgarët dhe duke i quajtur kriminelë shtypësit e tyre.
Hija e gjatë e Gladstone mbeti kësisoj një forcë e fuqishme në politikën anglo-amerikane. ‘Lokomotiva e Luftës’ i eksploron këto ngjarje duke parë përmes lenteve të pesë burrave: Woodrow Wilson, David Lloyd George, Winston Churchill, Franklin Delano Roosevelt – të gjithë liderë politikë – dhe, gjithashtu, edhe John Maynard Keynes, ekonomisti më me ndikim i shekullit XX-të.
Thomas Woodrow Wilson, 1856-1924
I riu Tommy Wilson, i rritur në shtetin jugor të Xhorxhias pas Luftës Civile amerikane, mund të duket si mishërimi i kulturës së veçantë të Botës së Re. Por, ai jo vetëm që rridhte nga një linjë e ministrave presbiterianë skocezë dhe skocezo-irlandezë, por qe i magjepsur edhe nga trashëgimia e politikës britanike – që kur qe 16 vjeç, mbante në murin e dhomës së tij të gjumit një portret të kryeministrit britanik Gladstone.
Ndonëse u diplomua për drejtësi, karriera politike ishte ajo që e magjepste më tepër, ndërsa në vitin 1912 mbërriti majën duke u zgjedhur president i SHBA-së. Me shpërthimin e luftës në Evropë, pas vetëm 2 vitesh, Wilson theksoi se Shtetet e Bashkuara duhet të mbeteshin neutrale, pavarësisht simpatisë së tij fillestare për qeverinë liberale britanike.
Ishte axhenda Willsoniane e Katërmbëdhjetë Pikave ajo, që dominoi në konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1919. Vetë Wilson mori pjesë në të; ai qe presidenti i parë në detyrë që kapërcente Atlantikun. Fillimisht u adhurua nga ata që donin një zgjidhje mëshiruese për Gjermaninë.
Ishte miratimi i “reparacioneve” në traktatin përfundimtar, ajo që zbehu reputacionin e Wilsonit në sytë e liberalëve.
Megjithatë, parahistoria e konceptit të reparacioneve, tregon se ai ishte mbarsur me politikën e fajit, si nga liberalët amerikanë, ashtu edhe ata britanikë. Përmes moralizimeve mbi luftën, ata pashmangshmërisht moralizuan edhe mbi kushtet e marrëveshjes së paqes. Përkeqësimi i shëndetit fizik të presidentit dhe rikthimi i tij në shtëpi, në vitin 1919, u bë emblematik për liberalët e zhgënjyer.
David Lloyd George, 1863-1945
Ndonëse i lindur në Mançester, prejardhja dhe kultura e Lloyd George ishte uellsiane. Pas humbjes së të atit që në vogëli, ai u dërgua në Uellsin verior nga xhaxhai i tij Richard Lloyd. I përkëdhelur, ai u rrit me një ndjenjë të thellë të alienimit ndaj parisë angleze. Edhe kur ishte ministër i kabinetit qeveritar, pëlqente ta cilësonte veten thjesht si një avokat nga Uellsi.
Në vitet e paraluftës, ishte Lloyd George ai që futi një dinamikë të re në politikën liberale, përmes një programi të reformës sociale, sidomos pensioneve të pleqërisë – të financuara përmes taksimit progresiv – dhe sigurimin shëndetësor të sponsorizuar nga shteti. Ai qe në parim kundër luftës, militarizmit dhe klithmave konvencionale patriotike të kohës.
Në verën e vitit 1914, kur kriza evropiane papritmas kaploi edhe kabinetin liberal, kryeministri Asquith i dha kohë Lloyd George për të reaguar ndaj ngjarjeve – prej të cilave më e rëndësishme dhe e papritura ishte shkelja gjermane e sovranitetit belg. Me jehonën e një situate të ngjashme me të cilën ishte përballur Gladstone, në vitin 1870, Lloyd George vuri në përdorim të gjitha instinktet e tij luftarake.
Eksperimentet e tij të mëhershme në ndërhyrjen e shtetit, e shfaqën atë të lumtur të mobilizonte burimet ekonomike të vendit në mënyra të papara. Duke mos pasur frikë të marrë kontrollin e lokomotivës, Lloyd George ishte i gatshëm të mobilizonte potencialin e plotë ekonomik të vendit të tij, në luftë apo paqe.
Winston Spencer Churchill, 1874-1965
Churchill e filloi jetën si një konservator i paracaktuar. Ai trashëgonte kujtimet e pasardhësit të tij, Dukës së parë të Marlborough, i cili kishte zhvilluar luftëra nëpër Evropë në shekullin XVIII-të. Megjithatë, ai ishte gjithashtu një fans i H.G Wells, i gatshëm të imagjinonte luftërat e ardhshme, me makinat fluturuese në ajër, dhe automjetet e blinduara që paraprinë tanket.
Ndërsa Lloyd George pati zhvilluar një fushatë politike kundër Luftës Botërore, Churchill shërbeu vetë në terren, si ushtar, korrespondent dhe i burgosur lufte. Pasi braktisi konservatorët, në vitin 1904, në mbrojtje të lidhjes së tij të gjatë me tregtinë e lirë, Churchill iu nënshtrua një riedukimi si një liberal nën tutelën e Lloyd George, i ashtuquajturi “magjistari i Uellsit”.
Asnjeri prej tyre nuk ndoqi universitetin; ata ndanë entuziazmin e të qenit autodidaktë. Churchill tregoi një kujdes të veçantë në përgatitjen e fjalimeve të mëdha, duke përdorur edhe talentin e tij letrar. Ai u zgjodh Lordi i parë i Admiraliatit në vitin 1911, ku pasioni i papritur për shpenzimet detare e vendosi në përplasje me kancelarin e Thesarit.
Megjithatë, partneriteti i tyre mbijetoi gjatë muajve të parë të luftës. Por, në maj të vitit 1915, problemet e mëdha perandorake të shkaktuara nga lufta, nxitën një krizë politike në vend. Australianët nuk ishin të vetmit që ankoheshin për fushatën katastrofike ushtarake në Dardanele dhe Galipoli, një dështim që shihet gjerësisht si marrëzia donkishoteske e vetë Churchill-it.
Një nga efektet e krizës ishte ngritja në pushtet e Lloyd George, ndërsa Churchill u shkarkua nga detyra dhe u tërhoq disi në prapaskenë. Britma e “Galipolit” do të bëhej barra e tij personale, duke errësuar yllin e një politikani, i cili më parë kishte njohur vetëm suksese të parakohshme. Ishte një reputacion, të cilin ai kërkoi më vonë ta ndryshojë edhe me anë të përpjekjeve të tij për rishkrimin e vetë historisë.
John Maynard Keynes, 1883-1946
Nga viti 1915, ekonomisti i shkëlqyer, John Maynard Keynes, ishte rekrutuar si një nëpunës civil në Thesarin e Shtetit. Fëmijë i dy prindërve akademikë, ky djalë i pjekur para kohe, pati privilegjin e një edukimi tepër cilësor në King’s College në Cambridge. Ai qe më shumë sesa vetëm një ekonomist, me shumë lidhje kulturore me një grup miqsh që do të bëheshin të njohur si “Bloomsbury”(lagje në qendër të Londrës).
Bosi i ri i Keynes në Thesar, Lloyd George, ishte i paduruar në angazhimin në një lloj të ri lufte, duke mobilizuar jo vetëm ushtarë, por burime në një shkallë të re. I ndikuar ndoshta nga fakti që shumë nga miqtë e tij “Bloomsbury” u bënë kundërshtarë të rekrutimit ushtarak, Keynes argumentoi se nuk kishte nevojë të mbështetej ortodoksia e Thesarit, me pretendimin se kjo do ta çonte vendin drejt falimentit.
Në vend të kësaj, ai zgjodhi të financojë përpjekjet e luftës me mjete krejtësisht konvencionale: duke qëndruar tek standardi i arit, dhe rritja e kredive të mëdha në dollarë nga Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, në këtë rast, pretendimi i Lloyd George qe i justifikuar – ekonomia britanike mund të krisej, teksa kërkesa e kohës së luftës e zgjeroi kapacitetin e saj të përgjithshëm.
Keynes-i pra, e pa lokomotivën e luftës me një ambivalencë jo të lehtë. Por, suksesi i tij në rritjen e kredive të dollarit, erdhi me koston e borxhit të pasluftës ndaj Shteteve të Bashkuara – me pasoja edhe për marrëveshjen e paqes. Në vitin 1919, Lloyd George dhe kryeministri francez, Georges Clemenceau, u përplasën me Gjermaninë për pagesën nga ana e kësaj të fundit të kostove të luftës në formën e reparacioneve.
Keynes-i, që në konferencën e Paqes në Paris përfaqësonte Thesarin, dha dorëheqjen dhe shkroi librin “Pasojat ekonomike të Paqes” (1919), një bestseller që papritmas e bëri emrin e tij të famshëm në të dyja anët e Atlantikut. Ai libër mbetet aktakuza klasike ndaj Traktatit të Versajës; por autori i saj ishte i implikuar më thellë nga sa pranoi në theksimin që traktati i bënte “fajit të luftës” nga ana e Gjermanisë. Dhe vetëm në fund të viteve 1920, Keynes-i e kuptoi se pretendimi i Lloyd George-s, lidhur me kapacitetin e qeverisë për të stimuluar punësimin e plotë, ishte gjithashtu i vlefshëm në një ekonomi në kohë paqeje.
Franklin Delano Roosevelt, 1882-1945
Bota u mblodh në Paris, në janar 1919, kur filloi konferenca e paqes: Lloyd George si kryeministër i Britanisë, Churchill si një nga ministrat e kabinetit të tij, Keynes si zyrtari kryesor britanik i Thesarit, Wilson si frymëzues i Katërmbëdhjetë Pikave. Një amerikan i ri, që ishte veçanërisht i impresionuar nga energjia dhe karizma e Lloyd George dhe Clemenceau, qe ndihmëssekretari i Marinës në administratën Wilson: Franklin Delano Roosevelt.
Ai vetë ishte thjesht një nxënës, por një nxënës shumë mendjemprehtë, sikurse vërejtën shumë njerëz gjatë karrierës së tij të shquar. FDR mund të ketë admiruar Lloyd George, por ai ngjante në fakt më shumë me Churchill-in, në kuptimin pothuajse dinastik të fatit që e diktoi karrierën e tij politike. Dhe, ashtu si Churchill, ai rimori veten nga një pengesë edhe më shkatërruese se ajo e Galipolit; në vitin 1921, FDR u godit nga sëmundja e poliomelitit, çka në dukje i dha fund ambicieve të mëtejshme politike.
Mbiemri Roosevelt kishte qenë jashtëzakonisht i dobishëm, në ngjitjen e të riut Franklin në majën e politikës amerikane. Një kushëri i largët i Theodore Roosevelt, kishte qenë president republikan për dy mandate, Franklin u rrit duke i njohur të gjithë dhe u martua me mbesën e preferuar të “TR”, në një martesë elegante, ku të gjithë të pranishmit dukej se mbanin mbiemrin Roosevelt.
Ashtu si T. Roosevelt, i riu simpatik pati një ngjitje progresive në politikë, por në rastin e këtij të fundit me një përkatësi partiake si demokrat, dhe me lidhje që i garantuan një vend në administratën Wilson, duke filluar nga viti 1913. Nëse FDR përfitoi fillimisht nga patronazhi i Wilson-it, ai përfitoi më vonë nga shembulli i këtij të fundit. Në karrierën e vet, FDR u përpoq me vetëdije të shmangë gabimet e Wilson-it, sidomos në humbjen e elektoratit të vet, kur ndoqi plane vizionare për ribërjen e rendin ndërkombëtar.
Roosevelt ishte shquar si një njeri i aftë të kapë shanset e dyta, fillimisht në politikën e brendshme në ndërmarrjen e reformave të New Deal, që kishin për qëllim të stimulonin ekonominë dhe ulnin papunësinë, në vitet 1930, dhe më pas në vitet 1940, duke siguruar që ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore të kishte mbështetjen e nevojshme të publikut. Në këtë kuptim, beteja personal e FDR kundër poliomelitit, shërbeu gati si një metaforë për ngritjen e tij politike, e ndjekur sa me dredhi, po aq sa edhe me qëndresë.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce